Arratisja e kosovarëve, Kadare: E mistershme humbja e shpresës në vendin e tyre

17/02/2015 00:00

Në një intervistë dhënë për emisionin “Shqip” pas marrjes së çmimit të Jeruzaemit, shkrimtari i madh, Ismail Kadare foli edhe për arratisjen masive të kosovarëve.

Ai tha se është e trishtueshme, por edhe e mistershme se si ata e humbën kaq shpejt shpresën në vendin e tyre.

***

Ismail Kadare: Për mua është një mister, ose ka pamjen e një misteri, përderisa organizmat që janë përgjegjës për këtë gjë, që duhet të jepnin shpjegime nuk po japin. Kjo është një ethe e pakuptueshme. Si e humbën shpresën këta njerëz të Kosovës kaq shpejt? Çfarë duhet të thotë Greqia që ka 300 miliardë borxhe dhe s’di ku do t’i gjejë paratë, e përsëri nuk po e humb shpresën. Pra këtu po ndodh diçka e pashpjegueshme për mua. Thuhet kushtet ekonomike, është e vërtetë që kushtet ekonomike luajnë rolin e tyre, por vetëm marksizmi e shpjegon çdo gjë me kushtet ekonomike. Po ndodh diçka jonatyrale, diçka që është kundërthënëse me tërë atë flijim të madh që bëri Kosova për të fituar lirinë. Nuk ikin njerëz të një kategorie të caktuar, por po ikin njerëz të të gjitha kategorive.

Rudina Xhunga: Po serbët duan të thonë se shpjegimi është se shqiptarët nuk e bënë dot shtetin.

Ismail Kadare: Serbët sigurisht nga kjo gjë nuk mund të kenë veçse një lloj kënaqësie, që këta njerëz nuk paskan një lloj problemi me lirinë, se lirinë e paskan. Ka disa teori serbe. E para se po bëhet një shtet islamik në Europë, duke u shtuar xhamitë në Kosovë, duke u shtuar predikimet, rrjetet sociale fetare, radikale disa herë, sigurisht është një kënaqësi për serbët që u del një profeci e tyre. Kjo është e çuditshme, paskan vuajtur vërtet shqiptarët nga mungesa e xhamive që ishin të pakënaqur? Jo, shqiptarët kishin mungesë të tmerrshme lirie, nuk kishin mungesë xhamish.

Top Channel