Çollaku: Heqja e vizave, këtë vit nuk ka shanse

16/02/2015 00:00

Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në përballjen e parë me komisionin parlamentar të integrimit, deklaroi se nuk pret që këtë vit të ketë liberalizim të vizave për kosovarët.

I pyetur nga deputetët për datën e heqjes së vizave dhe punën që po bëhet në këtë drejtim, Çollaku tha se ministria që ai drejton gjithë fokusin e ka tek Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, si dhe tek procesi i liberalizimit të vizave.

“Unë pres që të gjitha institucionet e Kosovës, kudo që kanë mundësi dhe në bashkëveprim me shtetet anëtare të BE-së, të jenë shumë më këmbëngulëse në kërkesat tona politike, që Kosova për këto dy aspekte, MSA-në dhe liberalizimin e vizave, këtë vit të marrë atë që pret dhe që meriton. Nëse kthehemi prap tek pyetja, personalisht mendoj se, nëse gjithçka do të shkojë sipas kësaj dinamike, në fund të vitit Komisioni Evropian duhet të jetë në gjendje që të japë një raport përfundimtar dhe të thotë që Kosova i ka përmbushur kriteret. Megjithatë, unë nuk pres që sivjet të ketë liberalizim të vizave. Do të doja shumë që të ndodhte, por unë jam realist. Nëse në vitin 2016 Komisioni do të jepte rekomandim se Kosova do të ketë liberalizim vizash, unë do të isha i kënaqur”, deklaroi Çollaku.

Gjatë raportimit të ministrit Çollaku, deputeti i Vetëvendosjes Ilir Deda paraqiti edhe shqetësimet për rritjen drastike të numrit të kosovarëve që kanë braktisur vendin në muajt e fundit.

Por ministri Çollaku tha se të dhënat e Ministrisë së Brendshme se 113 mijë kosovarë kanë bërë hyrje-dalje gjatë dy muajve nuk paraqesin numrin e azilkërkuesve, por numrin e përgjithshëm të kosovarëve që kanë dalë jashtë vendit në këtë periudhë.

Top Channel