7-vjetori i Pavarësisë, Veseli: Kemi shënuar arritje, por shumë qytetarë po largohen

16/02/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Kosova në prag të 7-vjetorit
të Pavarësisë, përveç  arritjeve të cilat sipas tij janë të dukshme,
ikja e qytetarëve është ajo që nuk i bënë të ndihen krenare
institucionet e vendit.

“Ajo çka është arritur e shohim të gjithë, ka një progres të jashtëzakonshëm. Republika e Kosovës në të njëjtën kohë ka ende sfida, po ashtu të jashtëzakonshme, të cilat bashkërisht duhet që t’i zgjidhim. Shpresojmë që të gjithë me maturi, e veçanërisht me një përpjekje të transformimeve ekonomike edhe sociale, do të bëjmë përmirësime të vazhdueshme. Natyrisht që vala e njerëzve të cilët i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe vendin e vet, nuk na bën që të ndihemi aq krenarë, por në të njëjtën kohë na bënë që të jemi edhe më të përgjegjshëm në domosdoshmërinë e përmirësimit të jetës së këtyre njerëzve”, tha Veseli.

Kreparlamentari Veseli pret që këtë vit Kosova të përshpejtojë axhendën e proceseve integruese, si dhe njohje nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Shpresoj se do të ketë njohje, për arsye se vetë procesi i njohjes së shtetit tonë është proces i pakthyeshëm. Kryesore është se do të ketë përshpejtim, veçanërisht në integrimin evropian, por edhe njohje. Njohjet shpresoj që do të vijnë shumë shpejtë nga disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Veseli.

Kryesia ka thirrur për datën 17 shkurt seancën solemne për Pavarësinë. Ndërsa i pyetur pas mbledhjes se a e ka sekretaria e Kuvendit marrëveshjen e fundit për drejtësinë të arritur nga Kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel, Kryetari i Kuvendit tha se formalisht nuk kanë ndonjë marrëveshje e cila është e nënshkruar.

Veseli po ashtu njoftoi se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit janë bërë shqyrtime të rekomandimeve dhe njoftimeve nga Komisionet e ndryshme parlamentare.

Top Channel