Kosovë, epidemi nga tularemia

11/02/2015 00:00

Rastet e shtuara të pacientëve me tularemi, e njohur në popull kryesisht
si sëmundje e minjve dhe e lepujve, ka bërë që Instituti Kombëtar i
Shëndetit Publik në Kosovë të shpallë epideminë e tularemisë në shkallë
vendi.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se nuk kemi të bëjmë me situatë të jashtëzakonshme, por ky vendim është marrë për të sensibilizuar popullatën në mënyrë që të krijohen kushte për parandalimin e përhapjes së saj.

“Duke pasur parasysh se sëmundja ka përfshirë 19 komuna të Republikës së Kosovës dhe 88 vendbanime e kemi parë të arsyeshme që të shpallet epidemi, jo për t’u parashtruar kushte të jashtëzakonshme, por për të bërë sensibilizimn e duhur në shkallë vendi që të mos përhapet sëmundja duke ndërmarr masat efikase që rezultojnë me një efikasitet për mbrojtje nga tularemia, sëmundje kjo që për nga tabloja klinike është e përgjithshme për nga simptomatologjia si cdo sëmundje tjetër”, tha Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së.

Në klinikën infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, aktualisht janë të shtruar 26 pacientë, ndërsa nga janari janë shënuar 74 raste.

Ramadani tha se tularemia është sëmundje me ecuri të mirë, e cila trajtohet me terapi të lirë, kryesisht antibiotik dhe simptomat janë të ngjashme me gripet sezonale.

“Paraqitja e simptomave janë kryesisht temperatura me ethe, pastaj shfaqja e dhimbjeve të kokës, gjymtyrëve, nyjeve. Këto simptome zgjasin 1-3 ditë dhe më vonë shfaqet simptomi më karakteristik i sëmundjes, paraqitja e simptomave specifike limfogjëndrrat ose ënjtja e gjëndrrave regjionale në vendin ku është futur insekti ose mikroorganizmi”, tha Hamdi Ramadani, drejtori i Klinikës Infektive.

Tularemia është sëmundje e kafshëve, e cila transmetohet te njerëzit vetëm përmes kontaktit me kafshët e infektuara ose nga ushqimi dhe uji i kontaminuar.

Rastet e para me tularemi në Kosovë janë paraqitur në vitin 1999 dhe deri më tani nuk është shënuar asnjë rast me vdekje. Zonat më të prekura janë Vushtria, Obiliçi dhe Drenasi. Ndërsa Klinika infektive në Prishtinë ka kapacitete të mjaftueshme sa i përket kuadrit akademik dhe ofrimin e kushteve teknike për trajtimin e tularemisë.

Top Channel