Marrëveshja për drejtësinë, Vetëvendosje në protestë

10/02/2015 00:00

Marrëveshja e drejtësisë e nënshkruar në Bruksel mes kryeminstrit Mustafa dhe homologut serb përbën tani një arsye më shumë për protestën e ardhshme të lëvizjes Vetëvendosje.

Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, kryetari Albin Kurti tha se bashkë me ligjin për Trepçën përmes protestave do të kundërshtojnë edhe këtë marrëveshje, pasi Mustafa me firmën e tij në Bruksel ndau edhe gjyqësorin dhe prokurorinë e vendit.

Kurti akuzoi kryeministrin se me këtë akt fiton amnisti nga akuzat për korrupsion sa ishte kryetar komune i Prishtinës, ndërsa shpëton nga burgu edhe zv.kryeministri Thaçi.

“Pasi Thaçi dhe Daçiç dy vjet më parë ndanë policinë e Kosovës, dje Mustafa dhe Vuçiç ndanë gjyqësorin dhe prokurorinë. Por a ka folur Mustafa dje me Vuçiç edhe për gjyqësorin në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc? Sigurisht që jo. Atëherë ku është parimi i reciprocitetit që Mustafa e nënshkroi më 10 shtator 2014? Ku është respektimi i ndërsjellë i sovranitetit dhe integritetit territorial që Mustafa nënshkroi në shtator 2014”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, “është e qartë që Mustafa e ka kuptuar që Thaçi mbetet jashtë burgut duke vendosur firmën me Daçiç e me Vuçiç”. “Edhe ky po ngutet që në Bruksel të vërë firmën e nënshtrimit ndaj Beogradit, sepse kjo është mënyra më e mirë që në Kosovë të sigurosh njëfarë imuniteti ndaj gjykatave dhe prokurorive”, shtoi Kurti.

Për kreun e VV, me këtë marrëveshje por realizohet formula e Serbisë: “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi” për Kosovën. “Atë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i tha Vuçiç në Beograd, Mustafa e Thaçi nuk guxuan t’ia thonë as Jabllanoviçit në Prishtinë”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, për marrëveshjen ka reaguar edhe kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një akt që kompromenton rendin kushtetues të Kosovës.

“Mungesa e informacioneve të detajuara për këtë proces të ndjeshëm vë në një pozitë të pafavorshme partitë politike dhe qytetarët e Kosovës, duke mos qenë të informuar dhe as të konsultuar për çështjet që dialogohen dhe për marrëveshjet që nënshkruhen midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një komunikatë të kryesisë së partisë opozitare.

Top Channel