Emigrimi masiv i kosovarëve, Hahn: Liberalizimi i vizave nuk është zgjidhje

10/02/2015 00:00

Zhvillimi ekonomik i vendit, rendi ligjor dhe liberalizimi i vizave ishin 3 çështjet kryesore për Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa në këtë vizitë të parë në Bruksel, por dhe për Komisionin Europian.

Fluksi i lartë i emigrantëve kosovarë në BE, përmes Hungarisë, rrit presionet për të ndërhyrë në shengen, kur Kosova kërkon përshpejtim të heqjes së vizave. Për Komisionerin Hahn, ky problem zgjidhet me zhvillimin ekonomik të Kosovës, e cila pritet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, që nga ana e saj as nuk e njeh si fqinje.

“Ne kemi përcaktuar prioritetet në lidhje me atë që pret dhe Bashkimi Europian nga ne në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e shtetit ligjor dhe reformave publike. Po ashtu ne do të punojmë shumë për të përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave”, tha Mustafa.

“Përgjigja qëndron tek nxitja për të promovuar ekonominë në vend dhe tek krijimi i mjedisit për një perspektivë ekonomike që u mundëson njerëzve të qëndrojnë në vend të tyre, të kenë respekt për veten dhe njerëzit përreth. Për këtë duhet të shtyjmë. Kjo do të ishte përgjigja për të garantuar se njerëzit kanë një të ardhme perspektive në vendin e tyre dhe kjo nuk i përket vetëm Kosovës, por vlen për të gjithë rajonin. Në 80% të rasteve, njerëzit do donin të jetonin në rajonin ku kanë lindur, të kenë një perspektivë të mirë ekonomike,  dhe kjo është ajo çfarë politika duhet të prodhojë. Për këtë motiv, liberalizimi i vizave është i rëndësishëm por nuk është përgjigje ndaj këtij problemi”, shprehet Johannes Hahn, Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit.

“Ne po punojmë me vendet fqinje, veçanërisht me Hungarinë e Gjermaninë  dhe ekspertët e tyre sapo kanë ardhur në Beograd. Por kjo nuk varet nga ne. Ne respektuam lëvizjen e lirë, si një vlerë europiane që duhej respektuar. Por tani do të merremi me miqtë tanë europianë në atë mënyrë që dhe ata të mbeten të kënaqur, por dhe që Prishtina, shpresoj, ta respektoj gjithashtu”, ka deklaruar Alexander Vuçiç, Kryeministër i Serbisë.

“E rëndësishme është që të dy palët të bashkëpunojnë dhe zgjidhin, me shpresë, mosmarrëveshjet mes tyre, sa më shpejtë. Ju uroj më të mirën për negociatat. Iu ofrova atyre pije energjike, kafe dhe gjithçka nevojitej për të gjetur të përbashkëtat, e mundësisht një të ardhme të bashkuar në Europë”, tha Hahn.

Komisioneri Hahn dhe Kryeministri Mustafa shihen sërish javën e ardhshme në Prishtinë, sikundër dhe në fund të Marsit kur mbahet konferenca për Ballkanin Perëndimor.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel