Bruksel, Mustafa-Vuçiç nënshkruajnë marrëveshjen për drejtësinë

10/02/2015 00:00

Pas një takim që zgjati rreth 5 orë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa  dhe homologu i tij serb, Vuçiç kanë rënë dakord dhe kanë nënshkruar marrëveshjen për drejtësinë, detajet e të cilës ende nuk janë bërë të ditura.

Lajmi është konfirmuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, e cila drejtoi bisedimet.

“Dy kryeministrat kanë nënshkruar marrëveshjen për drejtësinë. Rezultat i madh i rifillimit të dialogut Beograd-Prishtinë”, shkroi në “Twitter” Mogherini.

Në komunikatën e lëshuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së shkruhej se dy kryeministrat zhvilluan diskutime gjithëpërfshirëse për një sërë çështjesh dhe vlerësuan punët që mbeten për t’u përfunduar.

“Dy kryeministrat shkëmbyen pikëpamje për rrugën përpara dhe shprehën përkushtimin e tyre për vazhdimin e përparimit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Kryeministri Mustafa dhe Kryeministri Vuçiç, janë pajtuar që të punojnë së bashku për të trajtuar shqetësimet rajonale, midis të cilave edhe çështjen akute migrimit të paligjshëm nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

Ashtu si dhe paraardhësja e saj Ashton, Mogherini zhvilloi gjithashtu takime të veçanta me përfaqësuesit e lartë të Prishtinës dhe Beogradit.

Më herët kur mbërriti në Bruksel, në vizitën e tij të parë zyrtare, kryeministri Mustafa u prit nga Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn e më pas u takua me homologun serb Vuçiç.

Top Channel