“Trepca” të enjten shqyrtohet në Kuvend

09/02/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që të enjten deputetët të
shqyrtojnë projektligjin për ndërmarrjet publike, ku bën pjesë edhe
kombinati metalurgjik Trepça.

Neni 11.3 i projektligjit i cili siç është propozuar nga Qeveria, i jep kompetenca komunave për të vendosur kur një ndërmarrje shoqërore mund të shndërrohet në ndërmarrje publike, pritet të sjellë debat në seancë ku të gjitha Grupet Parlamentare tanimë janë pajtuar për ta riformuluar atë pjesë të projektligjit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se minatorët e Trepçës nuk duhet të shqetësohen, pasi sipas tij institucionet e Kosovës do të marrin hapat e nevojshëm që Trepça të vazhdojë të zhvillohet.

“Do të ketë debat shumë serioz dhe të jeni të bindur se do të ketë edhe vendim shumë serioz. Vendimi do të jetë në të mirën e Trepçës, në të mirën e minatorëve. Ata duhet vetëm të jenë të sigurt se do të vazhdojnë punën e tyre, do të zgjerohen kapacitetet e Trepçës dhe do t’i rikthehet shkëlqimi ekonomik të cilin e ka pas gjiganti ekonomik Trepça dhe krenaria”, tha Veseli.
 
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se do të kërkojnë në seancën e së enjtes që të gjendet një formulim i ri i Nenit 11.3, pasi sipas tij, për Trepçën nuk mund të vendosë asnjë komunë, qoftë ajo me shumicë serbe apo me shumicë shqiptare.

“Sigurisht edhe Neni përkatës ku thuhet se duhet pyeten komunat, do të sqarohet dhe duhet të sqarohet qartë se kjo nuk ka të bëjë asgjë me Trepçën. Por po e them edhe njëherë që këtë e ka për obligim që ta sqarojë Qeveria dhe ne deputetët ti kemi gjërart e qarta, në mënyrë që të ketë ndarje të qartë mes asaj se çka mendohet me një nen të tillë dhe çka realisht duhet të rregullohet ose si duhet të rregullohet statusi juridik i Trepçës”, tha Beqiri.   

Kryesia e Kuvendit ka miratuar në parim edhe një kërkesë të kryeministrit Isa Mustafa i cili ka shprehur gatishmërinë që të enjten të njoftojë deputetët për raundin e ri të bisedimeve që zhvillohet këtë të hënë në Bruksel.

Top Channel