Kosova, “burgu politik” i Evropës

09/02/2015 00:00

Ngecjet e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave janë të lidhura ngushtë me emigrimin ilegal të qytetarëve. Në këtë përfundim arrin një studim i Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Sipas Dren Dolit, Kosova mbetet një “burg publik” me njerëz që nuk mund të lëvizin lirshëm, ndërsa emigrimi ilegal i kohëve të fundit rrezikon procesin e liberalizimit të vizave.

“Çështje tjetër e rëndësishme që sërish lidhet me migrimin është numri i kërkesave për azil në vendet e zonës Schengen. Duke ditur valën e madhe të migrimit, ky numër në vitin 2013 është dyfishuar, kurse në vitin 2014 është trefishuar dhe kjo seriozisht rrezikon që Kosova në një të ardhme shumë të afërt të mos marrë ndonjë mesazh pozitiv nga Bashkimi Evropian që vizat për kosovarët përfundimisht të hiqen”, deklaron Doli.

Në bazë të këtij hulumtimi, në vitet 2013-2014 numri i vizave të refuzuara nga ambasadat e vendeve të zonës Schengen është dyfishuar. Doli thotë se qeveria e Kosovës nuk duhet të shfrytëzojë mungesën e liberalizimit të vizave si një arsyetim për emigrimin ilegal.

Blloku i tretë i udhërrëfyesit rezulton më problematiku për Kosovën, pasi ka të bëjë me rendin publik dhe sigurinë. Në studim theksohet se vitin e fundit, institucionet e Kosovës kanë lënë pothuajse anash procesin e përmbushjes së kritereve.

“Ajo që mund të them si një vlerësim të përgjithshëm është se, nga qershori i vitit 2012 deri në janar të vitit 2014 ka pasur përmbushje të një sërë kriteresh. Por nga janari 2014 e deri më sot, pra në një vit, ky proces është lënë thuajse anash dhe një numër kërkesash të paraqitura në udhërrëfyes ka mbetur pa u zbatuar dhe thuajse askush nuk po merret me këtë proces”, thotë Albana Merja.

Pika në të cilën del se është punuar më shumë ka të bëjë me menaxhimin e emigracionit për shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë. Lidhur me këtë, Kosova tashmë ka një bazë të dhënash, por e cila ka vend për përmirësime.

Top Channel