Ndalohen aktivistët e PD, i bllokuan rrugën ministrit Veliaj në Fier

08/02/2015 00:00

Katër anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike u ndaluan nga Policia e Fierit mbrëmjen e së dielës.

Të rinjtë kishin marrë pjesë më parë në shpërndarjen e ndihmave në fshatrat e dëmtuara nga përmbytja në rrethin e Fierit.

Burime jo zyrtare thonë se ata u ndaluan pas një incidenti me eskortën e ministrit Erion Veliaj, së cilës i bllokuan rrugën në fshatin Ferras së bashku me mbështetës të tjerë të PD.

Por drejtues të degës së Fierit të partisë më të madhe të opozitës e hedhin poshtë këtë pretendim. Ata thanë se ishin vetë banorët ata që bllokuan rrugën.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i PD-së, e cila me anë të Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Arben Ristani, bëri thirrje për lirimin e 4 të rinjve.

Përpara Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier u mblodhën me dhjetëra anëtarë të Partisë Demokratike, të cilët kërkonin lirimin e të ndaluarve. Por 3 orë pas ndalimit të tyre, ata u lanë të lirë.

Top Channel