Dialogu, më 9 shkurt takimi i parë Mustafa-Vuçiç

07/02/2015 00:00

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të rinisë të hënën më 9 shkurt, ku do të takohen kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç.

Në këtë takim të parë të këtij niveli, Mustafa pritet të ngrejë çështjen e emigracionit ilegal dhe moslejimit të kthimit të emigrantëve me letërnjoftime, ndërsa kryeministri serb Vuçiç do të kërkojë shpjegime për shkarkimin e ministrit serb Aleksandër Jabllanoviç.

Po ashtu mësohet se Vuçiç do të flasë me Mustafën edhe për vazhdimin ose jo të bashkëpunimit të Listës Serbe me institucionet në Prishtinë.

Burime të Top Channel brenda Qeverisë së Kosovës kanë treguar se Mustafa do të kërkojë nga Vuçiç që Serbia të lejojë kosovarët që ndodhen në Hungari, të kthehen në Kosovë përmes Serbisë.

Në bisedimet e së hënës pritet të marrin pjesë edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, ndërsa po ashtu ndërmjetësimin për herë të parë do ta bëjë shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Nga agjenda zyrtare e bisedimeve, tema e parë që do të diskutohet mes kryeministrave nga Kosova dhe Serbia do të jetë integrimi i gjykatësve serbë të veriut në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Në këtë takim të parë mes tyre, Mustafa dhe Vuçiç pritet që me ndërmjetësim të kryediplomates europiane të propozojnë edhe temat e reja për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve.

Top Channel