Emigrimi, Jahjaga zbret në terren; apel qytetarëve

06/02/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është përballur drejtpërdrejtë me skamjen dhe mllefin e qytetarëve të Vushtrrisë, një komunë që konsiderohet ndër më të prekurat nga eksodi masiv.

Jahjaga qëndroi në mesditë në Vushtrri për të parë nga afër gjendjen dhe për të bashkëbiseduar me qytetarët. Pak metra para ndërtesës së komunës, ajo u ballafaqua me qytetarë, të cilët qëndronin në radhë para bankës për të marrë ndihmën mujore prej 60 eurosh.

Qytetarët i shprehën presidentes pakënaqësi të shumta ndaj institucioneve qendrore, ndërsa kërkuan krijimin e një fondi emergjent për të ndalur zbrazjen e Kosovës.

“Çfarë na duhet neve jeta kur të rinjtë tanë ikin? Qeveria nuk ndërmerr asnjë hap. Premtonte 200 mijë vende pune, ku janë këto vende?”, u shpreh një qytetar.

“Punën më është dashur ta ndërpres për të marr rrugën e emigrimit. Jam 53 vjeç. Çfarë gjendjeje është kjo? Ku na keni sjellë ju? Ku është vota jonë? Për 10 vende pune kam konkurruar dhe në asnjë prej tyre nuk kam mundur të hyj. I kanë marrë nga rruga pa përvojë pune, ndërsa unë kam mbetur rrugëve të Vushtrrisë”, u ankua një tjetër.

“Këtu mafia na ka kapur duart. Me 60 euro ndihmë sociale”, tha një tjetër.

“Para dy ditësh më ndërprenë edhe energjinë. Këtej na thonë pse po ikni, në anën tjetër, çfarë të bëjmë ne këtu? Diku duhet t’ia mbajmë se me 70 euro ç’të bëjmë”, vijuan ankesat.

“Unë djalin e kam në Suvboticë. Ka dalë rrugëve, është 17 vjeç. Katër fëmijë kam, ndihmë kam marrë, tani ma kanë hequr. Çfarë të bëj?”, u shpreh një tjetër qytetar.

Pasi dëgjoi dëshpërimin dhe kërkesat e qytetarëve, presidentja Jahjaga u bëri apel atyre që mos të ikin nga Kosova.

“Zgjidhja nuk është në ikja. Zgjidhja është duke qëndruar këtu dhe duke punuar bashkarisht. Dhe kërkoj prej gjithësecilit nga ju që të bisedoni me familjet tuaja, me djemtë, vajzat, shoqërinë, me rrethin tuaj, që t’u kërkoni që të qëndrojnë këtu, sepse Kosova sot nuk është ajo që ka qenë para 15 vitesh”, deklaroi Jahjaga.

I shqetësuar me gjendjen e krijuar në komunën që udhëheq, kryetari Bajram Mulaku tha se gjendja është serioze, ndërsa kërkoi nga presidentja që të merren masa të menjëhershme.

Përveç presidentes Jahjaga edhe kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi gjatë ditëve të fundit vizituan disa komuna nga ku u bënë thirrje qytetarëve që të mos emigrojnë ilegalisht.

Mësohet se zbritja e liderëve të institucioneve tek qytetarët ka ardhur si kërkesë e ambasadorëve të Bashkimit Evropian të akredituar në Prishtinë.

Top Channel