Ambasadori hungarez: Kosovarët dhjetëra mijëra, s’i ndalojmë dot të gjithë

06/02/2015 00:00

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla ka deklaruar se vetëm në muajin janar, në shtetin e tij kanë shkuar rreth 10 mijë kosovarë, ndërsa vitin e kaluar kjo shifër ka kapur 21 mijë.

E teksa siguron se për asnjë prej tyre nuk do të ketë azil, Balla thotë se policia e shtetit të tij nuk mund të përdorë armët për t’i ndalur ata që kalojnë kufirin.

“Çfarë mund të bëjë policia hungareze? T’i ndalojë me armë? Të vendosë mina në kufi apo të ndërtojë diçka atje? 100 kilometra i kemi me Serbinë. Si t’i ndalojmë?! Nëse vetë Kosova nuk e ndalon, atëherë si t’i ndalojë Hungaria, Austria, Gjermania, apo Zvicra? Policia e Hungarisë me atë të Serbisë po bisedojnë vazhdimisht dhe po bashkëpunojnë për mbrojtjen e kufirit. Por kufiri është më shumë se 100 kilometra dhe ka edhe qarqe kriminale që gjejnë rrugën që nuk është e mbrojtur. Ata e dinë më mirë se ju edhe se unë se si duhet kaluar kufiri”, ka thënë Balla.

Ambasadori ka dhënë një mesazh edhe në lidhje me kushtet e qëndrimit në kampet hungareze.

“Duhet të them sinqerisht se vendet e strehimit me zor mund të përballojnë një fluks të tillë. Hungaria nuk është gati. Vendet strehimore nuk ishin ndërtuar për dhjetëra apo mijëra njerëz. Më duhet t’ju them sinqerisht se sa më shumë kalojnë, aq më keq do të jetë situata. Është e kuptueshme se vendet e strehimit mund të pranojnë disa qindra. Kemi disa vende të tilla, mund të pranojnë edhe disa mijëra, por jo dhjetëra mijëra, është e pakuptueshme. Megjithatë, njerëzit kanë ushqim dhe nuk do të vdesin nga uria. Është edhe diçka tjetër, se kur nuk je i ftuar, s’ke pse ankohesh. Mysafiri është mysafir dhe njeriu i paftuar është diçka tjetër”, ka thënë Balla.

Diplomati ka shtuar se shumica dërrmuese e emigrantëve ilegalë do kthehen në Kosovë dhe do kthehen me një barrë, që do të thotë se duhet të paguajnë transportin e ndoshta edhe pjesë të strehimit. Dhe nëse nuk paguajnë, atëherë do të futen në listën ku u ndalohet hyrja për në BE.

Top Channel