Rrugëtimi nga Serbia në Hungari, trafikantët u tregojnë kosovarëve malet për të kaluar kufirin

05/02/2015 00:00

Pak para pjesës kufitare me Hungarinë vijnë fshatrat e fundit serbe. Në një zonë jo shumë të banuar, në afërsi të Suboticës, duket gjithçka e qetë. Autobusët e Prishtinës kanë humbur dhe shqiptarët e hipur në ta, duket se shpresën e lidhin si në copëza të një pasqyre të thyer.

“Kjo është hyrja për në fshatin Bashki Vinogradi, ku besohet se shumica e kosovarëve, që kalojnë në Hungari për të kërkuar një jetë më të mirë, kalojnë në këtë zonë në afërsi të Suboticës, në Vojvodinë, që është edhe zona kufitare me hungarezët. Top Channel ka kërkuar të filmojë nga policia serbe në këto pjesë, por është refuzuar. Thuhet se rreth 1000 persona në ditë kalojnë këtej dhe shumica prej tyre kapen nga policia hungareze”.

Pas kalimit të kufirit për vetëm pak minuta, në malet e qytezës Asotthalom vërshojnë kosovarët, duke pyetur për qytetin Szeged. Nuk e dinë se ku ndodhet, apo sesa larg është. Aty trafikantët u kanë dhënë udhë, me shpresën që nuk do t’i kapë policia, apo do t’i lëshojë pas pak kohësh. Njerëz të moshur, fëmijë, familje të tëra, gra shtatzënë e me foshnja kanë marrë këtë rrugë, drejt asaj që besohet se është dalja nga makthi prej dekadash i Kosovës së pashpresë.

Një nga ta është me origjinë nga Prishtina. Dikur thotë se ka punuar mirë, por tani, i mbështetur për muri, ka vendosur të bëjë këtë rrugë.

“Kam punuar mirë, por puna erdhi duke rënë, aq sa po ‘sharronim’ për të ngrënë, të flas shkurt. Gjë e madhe kur të bie puna, nuk gjen dot shpëtim. Shpenzimet duhen bërë, ke apo nuk ke punë. E lashë atë, u luta në Zot dhe thashë do ta marrë këtë nismë nga kjo rrugë. Edhe gjithçka vetëm për shkak të ngërçit, kurrgjë tjetër. Kam tre fëmijë dhe të gjithë i kam lënë në Kosovë, i vetëm kam ardhur këtej. E di që nga kjo anë ka pasur edhe luftë, vetëm se mos iu duket situata normale në Kosovë, është duke u përsëritur periudha e ’90-s. Qeveritarët duan të punojnë vetëm për vete. Vetëm administrata dhe policia ekzistojnë për ta, asgjë tjetër.”, thotë udhëtari.

Në çdo cep të pashpresë dhe në pamundësi për t’u ndihmuar me aq kërkesa sa kanë, luten për transport e janë të mërzitur me gjithçka. Qindra shtohen dhe vjedhurazi tentojnë të mos iu ikë rasti, e shikojnë fshehurazi.

Në një qendër 60 kilometra nga qyteti Szeged nuk dëgjohet asnjë zhurmë. Aty janë qindra kosovarë të ngujuar në një hapësirë, pa të drejtë lëvizjeje, për të pritur deportimin. Zhuzhana Perak, nga Qendra Mengder që ndihmon kampet ku rrinë shqiptarët, thotë se ushqime kanë por janë të mbyllur.

“Ne në Kishkunahllash, mundohemi t’i informojmë qytetarët dhe të merremi me aktivitetet për shkak të traumave psikofizike, por edhe përgatitjen e tyre për kthim në atdhe, pasi ata janë të mbyllur këtu. Por, edhe i informojmë për atë që i pret në Perëndim, pasi shpesh kanë pasqyrë të gabuar”, thotë Zhuzhana Perak, Qendra Mengder.

Autoritetet hungareze kanë bërë të ditur se të paktën 10 mijë kosovarë kanë kaluar ilegalisht në territorin e Hungarisë vetëm në muajin janar, por kjo valë ka nisur shumë vite më parë dhe është rritur në nëntor të vitit të kaluar.

Top Channel