Përplasje në komunën e Prishtinës, PDK-LDK shkarkojnë anëtarë komisionesh

05/02/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës janë përplasur ashpër në Kuvendin Komunal të kryeqytetit.

Këshilltarët e PDK dhe LDK janë bërë së bashku dhe kanë shkarkuar anëtarët e Komisioneve të Aksionerëve për Ndërmarrjet Publike, përkundër kërkesave dhe qëndrimeve të Vetëvendosjes se asambleistë të LDK-së janë të përfshirë në konflikte interesi, për shkak se kanë të afërmit në këto ndërmarrje e si rrjedhojë nuk duhet të kenë të drejtë vote në Kuvendin Komunal.

Këto komisione marrin vendime për bordet e ndërmarrjeve publike, ndërsa anëtarë të bordeve të tyre janë shkarkuar së fundmi nga drejtuesit e komunës.

Ky veprim i PDK-së, që në këtë vendim bëhet bashkë me LDK-në, është cilësuar nga Vetëvendosje si i ndikuar nga koalicioni në nivel qendror.

Në kohën kur nënkryetari Dardan Sejdiu paraqiti një skicë nepotizmi me emrat e këshilltarëve të LDK-së, e që Vetëvendosje pretendon të kenë keqpërdorur ndërmarrjet publike për interesa personale, atij iu ndërpre fjala nga kryetari Halim Halimi, nga radhët e LDK-së.

Me kryetarin e asamblesë nga LDK është përplasur verbalisht edhe vetë kryetari i komunës, Shpend Ahmeti.

Shpend Ahmeti: A je kryesues i Kuvendit, a ke të drejtë të dërgosh vendime në Ministri? Të lutem a ke të drejtë, a ke të drejtë?
Halimi: Është e parashikuar vula.
Ahmeti: A ke të drejtë më të dërgosh vendime si kryesues, trego se ke ardhur në zyrën tonë dhe ke thënë ‘Unë kam të drejtë të dërgoj si kryesues’. A ke të drejtë?
Halimi: Kam të drejtë edhe i çoj.
Ahmeti: Pse s’i ke çuar?
Halimi: S’i kam çuar, që t’ia tregoj këtij kuvendi.

Mbledhja më pas ka vazhduar pa praninë e Ahmetit dhe asambleistëve të Vetëvendosjes, edhe pse ishte lajmëruar përfundimi zyrtar i saj.

Menjëherë pas mbledhjes, në konferencë të jashtëzakonshme, nënkryetari i Prishtinës Dardan Sejdiu tha se ajo çfarë ndodhi ishte një tentativë e radhës nga ana e LDK-së për kapjen e ndërmarrjeve publike.

“Kapja e një qyteti nga një pushtet nuk duket ndryshe dhe këtë kapje këta duan ta vazhdojnë. Keni parasysh, që asnjë ndërmarrje publike në këto 15 vjet, të menaxhuara nga këto familje, nuk është me përfitueshmëri. Tashmë jemi në një situatë, ku duke e parë që këto ndërmarrje do të rivitalizohen, duke parë që po ecim shpejt me projekte përpara, kanë vendosur që t’i kapin, në mënyrë që të bllokohet Prishtina. Normalisht kjo nuk do të lejohet”, tha Dardan Sejdiu, nënkryetar i KK të Prishtinës.

Ndërsa udhëheqësi i grupit të asambleistëve të Vetëvendosjes, Ylli Hoxha, tha se është mirë që Kuvendi Komunal të shkojë në zgjedhje.

Top Channel