Kosovë, debate në Komisionin për Siguri. Temë diskutimi protesta e VV të mërkurën

02/02/2015 00:00

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, janë ballafaquar të hënën për rreth dy orë me pyetjet e parashtruara nga anëtarët e komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.

Temë e diskutimit ishin protestat e fundit të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës, ministri Hyseni sqaroi se nuk kishte dhënë asnjë urdhër politik.

“Jo, sot jo. Me rastin e kësaj proteste, po të garantoj publikisht ty dhe gjithë anëtarëve të komisionit, por edhe qytetarëve të Kosovës, se më parë do të kërkoja azil në Siberi, sesa t’i jepja urdhra politikë Policisë së Kosovës. Unë i besoj plotësisht profesionalizmit dhe nuk do ta ngatërroj politikën me obligimet dhe detyrat që ka policia, sepse nuk jam i zoti ta udhëzoj policinë se çfarë duhet të bëjë në rrafshin profesional. Nëse ka qenë përdorim dhune jo racionale nga policia, sigurisht vlerësimet që janë duke u zhvilluar do të japin një përgjigje”, tha Skënder Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se në protestën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje policia ishte në rrezik për jetën. Ai bëri të ditur se ka kërkuar një takim me Lëvizjen Vetëvendosje, për të analizuar bashkarisht planifikimet për protestën e radhës.

“Me keqardhje duhet ta them, që kjo përpjeke e Policisë së Kosovës ka qenë edhe në të kaluarën, edhe në rrethanat kur ky subjekt ka organizuar protesta në të kaluarën, por asnjëherë nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ky subjekt që të ulemi të bashkëbisedojmë e të planifikojmë, ashtu siç ligji e parasheh, dhe në mënyrën më të mirë të mundshme, që çfarëdo proteste të mund të organizohet, të kalojë në rrethana sa më normale. Pra, ne synojmë që sot të realizojmë një takim me këtë subjekt, për të debatuar dhe biseduar rreth planifikimit të protestës, e cila është paralajmëruar për të mërkurën”, tha Shpend Maxhuni, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Maxhuni tha se Policia e Kosovës ka në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u ballafaquar me situata, për të cilat ligji mandaton Policinë e Kosovës dhe se janë në përfundim të të gjitha planifikimeve të nevojshme për protestën e së mërkurës.

Kurse anëtari nga “Nisma për Kosovën” i këtij komisioni, Zafir Berisha tha se protesta e parë ka qenë më tepër se paqësore dhe dilemat e tij, si qytetar e deputet, janë se policia nuk kishte qenë në krye të detyrës së saj.

Anton Çun nga LDK-ja shtroi pyetjen sesa kanë arritur t’i identifikojnë grupet, që kanë marrë pjesë me maska.

Në anën tjetër, Gjykata e Apelit ka kthyer në shkallën e parë çështjen e paraburgimit të tetë personave të arrestuar në protestë, për të cilët ishte caktuar nga 30 ditë paraburgim për veprën penale të huliganizmit.

Sipas vendimit të Apelit, gjyqtari ka dështuar të gjejë fakte, se këta të arrestuar kanë kryer veprat penale, për të cilat u është dhënë paraburgim.

Top Channel