S’ndalet ikja masive e kosovarëve. Itinerari, Serbi-Hungari-vendet e BE për azil

30/01/2015 00:00

Ikjet masive të qytetarëve të Kosovës drejt shteteve evropiane nuk kanë të ndalur. Numri i kosovarëve, që kërkojnë të largohen nga shteti, është aq i madh saqë edhe në orët e paradites të shumtë janë ata, që presin në radhë për të siguruar një biletë autobusi deri në Beograd, për të vazhduar pastaj rrugëve ilegale në Hungari e përtej.

Top Channel ka bërë një vëzhgim të premten, në stacionin e autobusëve në Prishtinë, nga ku bëhen nisjet, dhe të rinjtë që prisnin atje kanë treguar jashtë kamerave se me vetëm 400 euro mund të mbërrijnë deri në Austri.

Qytetari: Një shoku im ka ikur në Austri. Në Facebook fola me të dhe më tha se është në Austri duke pritur disa djem të xhaxhait që ta merrnin. Më tregoi se 400 euro i ka kushtuar të shkojë deri në Austri. 400 euro është falas.

Nisjen e organizojnë edhe autobusë jashtë stacionit.

Shitësi ilegal biletave: Mi jep këtu biletat… Sa do? 6. Sadri m’i jep këtu biletat.
Qytetarja: Nga sa kushtojnë?
Shitësi: Aq sa kushton në sportel, as më shumë as më pak.
Qytetarja: 16 euro kushton.
Shitësi: Në rregull.
Qytetari tjetër: A mund të m’i japësh edhe mua dy bileta?

Të rinjtë që po largohen nga Kosova thonë se nuk po shohin perspektivë në vendlindje, prandaj po kërkojnë një jetë më të mirë jashtë shtetit.

“Dua të nisem për në Gjermani, ngado që të mundem, qoftë maleve apo arave… Nga Beogradi do të shkojmë në Suboticë, e pastaj në Hungari, prej aty nga të mundemi. Ka shumë arsye që po largohemi, kurrëfarë perspektivë nuk ka këtu, qeveria është shumë dobët. Po iki me familjen, me dy fëmijët dhe bashkëshorten”, rrëfen Kadri Krasniqi.

“Arsyeja e largimit është papunësia. Lidhje nuk kemi gjetur, por do të vrapojmë sa të mundemi për t’u shpëtuar policisë. Do të nisemi diku te 12 shokë”, thotë Armend Mustafa. Por Kadriu dhe Armendi kanë edhe arsye politike për largimin e tyre.

Kadriu: Sa ka qenë Hashim Thaçi në Qeveri, edhe pa parà të më nisnin nuk do ikja. Ai na ka ndihmuar shumë.

Armendi: Arsyeja është papunësia. Thaçi e hëngri krejt Kosovën. Edhe Mitrovicën e shiti.

Çdo mbrëmje, nga Kosova drejt Serbisë nisen nga 10 deri në 15 autobusë, nga qytete të ndryshme. Një marrëveshje për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë u mundëson kosovarëve, që të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim nëpër shtetin serb. Më pas, ata lehtësisht kalojnë kufirin, ilegalisht, për në Hungari.

Për këtë çështje, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet në Bruksel, që t’ia tërheqin vëmendjen Serbisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga muaji shtator deri në fund të këtij muaji, rreth 40 mijë kosovarë janë larguar nga vendi, ndërsa numri i të kthyerve brenda vitit 2014 është 5 mijë.

Në bazë të konventave për të drejtat e njeriut, shtetet ku kosovarët po kërkojnë azil janë të detyruar t’i trajtojnë kërkesat e tyre dhe procedura të tilla zgjasin deri në një vit. Gjatë kësaj kohe, ata që largohen më së shumti jetojnë nëpër kampe.

Top Channel