Protestat, nën hetim Policia e Kosovës

30/01/2015 00:00

Pas protestave të fundit në Prishtinë, Inspektotati Policor I Kosovës ka filluar të analizojë pamjet e regjistruara nga kamerat për të vlerësuar nëse dhuna policore ishte brenda standardeve të lejuara.

Pasi në rrjetet sociale vërshuan dëshmi të incizuara të rasteve të tilla, edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jacobson deklaroi  se gjatë  protestës ka patur disa gabime edhe nga individë të policisë.

Por Inspektorati Policor i Kosovës dhe EULEX-i po shohin pamjet dhe nëse vërtetohet se policët kanë përdorur forcë të tepruar apo kanë vepruar në mënyrë të papërshtatshme, do të përballen me procesin e zakonshëm disiplinor.

Këtë e konfirmon për Top Channel, udhëheqësi i Divizionit për komunikim me publikun dhe bashkëpunim ndërkombëtar në Inspektoratin Policor të Kosovës, Arbër Beka.

“Bazuar në qasjen proaktive që ka IPK, që është dhe në përputhje me misionin dhe objektivat ligjorë që ka agjencia, si agjenci mbikëqyrëse për Policinë e Kosovës, ne kemi filluar grumbullimin e video-materialeve, fotografive të cilat mandej do të analizohen nga hetuesit e departamentit të hetimeve në kuadër të IPK-së”, deklaron Beka.

“Ne kemi kontakte në baza ditore edhe me Policinë e Kosovës për të shqyrtuar se rastësisht mos kanë pranuar ndonjë ankesë eventuale nga qytetarët, të cilët kanë qenë protestues më 24 dhe 27 janar të këtij viti”, vijon zyrtari.

Inspektotati Policor i Kosovës ka zhvilluar takime edhe me Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut për të diskutuar mbi këtë çështje.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, përmes telefonit tha për Top Channel se janë në fazën e mbledhjes së të dhënave dhe se shpejt pritet të dalin me një reagim lidhur me atë që e cilësoi “dhunë të përdorur nga ana e Policisë së Kosovës”.

Ndërkohë, në një zhvillim që lidhet me protestat, klubi i tifozëve të Prishtinës, “Plisat”, mbështetës të protestave në Prishtinë, ka njoftuar se njësia speciale e Policisë së Kosvës ka hyrë në Fan Club-in e tyre pa asnjë autorizim dhe brutalisht ka rrahur të gjithë ata që ndodheshin aty, përfshirë persona të cilët nuk kanë qenë fare në protesta e as pro protestave.

Viktimë e dhunës brutale të PK-së ka qenë edhe portieri i KF Prishtinës, Kushtrim Mushica, i cili rastësisht ka qenë i pranishëm në Fan Club, njoftojnë Plisat përmes një komunikate. Në njoftimin në fjalë shtohet se, anëtarët e klubit janë kërcënuar nga policia që të mos e raportojnë këtë ngjarje në media apo spital.

Top Channel