Kosovë, grevë në arsim e shëndetësi

30/01/2015 00:00

Sistemi arsimor dhe ai shëndetësor në Kosovë kanë zhvilluar këtë të premte një grevë, duke i kërkuar qeverisë zbatimin e kontratës kolektive, cila parashikon që punëdhënësit t’u paguajnë punonjësve ushqimin gjatë punës, sigurimin shëndetësor dhe vitet e përvojës.

Grevës së thirrur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, të premten iu përgjigjën rreth 90% e shkollave të arsimit parauniversitar në Kosovë.

“Sa i përket situatës së sotme në Prishtinë, thuajse të gjitha shkollat i janë përgjigjur thirrjes për grevë, përveç tre shkollave të cilat nuk kanë aderuar. Megjithatë, edhe ato shkolla kanë punuar me më pak nxënës, të cilët janë mbledhur në një klasë të vetme. Këto shkolla janë ‘Hasan Prishtina’, ‘Ismail Qemali’ dhe ‘Elena Gjika’”, deklaroi Ahmet Pllana, kryetar i SBASHK.

Ndërsa kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla tha për Top Channel se pothuajse 100% e punëtorëve të këtij sektori i janë përgjigjur ftesës për grevë.

“Mund të them pa frikë se 100 për qind e stafit i janë përgjigjur grevës në shkallë vendi. Kuptohet që në disa institucione jetike, të cilat dhe i kemi paralajmëruar, është zhvilluar puna, si për shembull në repartin e hemodializës, emergjencës, etj. Por të tjerët kanë respektuar thirrjen për grevë”, deklaroi Syla.

Syla shtoi se kanë provuar përmes dialogut me kryeministrin Isa Mustafa t’i shmangen grevës, por siç tha ai, mungesa e gatishmërisë nga kryeministri i ka irrituar punonjësit.

SBASHK dhe FSSHK kanë paralajmëruar se nëse as pas kësaj mase qeveria e Kosovës nuk do të reflektojë, do të ndërmarrin hapa të tjerë për realizimin e qëllimit të tyre.

Top Channel