Eksodi i kosovarëve, Mustafa: Bisedime me Serbinë

30/01/2015 00:00

Komuna e Prishtinës ka dhënë shifra që dëshmojnë largimet masive të kosovarëve jashtë vendit.

Sipas një komunikate për shtyp të lëshuar këtë të premte, vetëm në Prishtinë numri i çertifikatave të cilat lëshohen brenda ditës në shërbimin e gjendjes civile arrin mesatarisht në 1.400 njësi.

Sipas Komunës, 60 deri në 70 për qind e këtyre dokumenteve janë çertifikata që qytetarët duhet t’i nxjerrin në rastet e udhëtimit jashtë vendit.

Këtë më së miri e shpjegon fakti se shumica e prindërve, në rastet kur i kërkojnë çertifikatat për fëmijët e tyre, kërkojnë që edhe fotografia e fëmijës të jetë e bashkangjitur në dokument, me të cilin fëmija lehtësisht mund të kalojë kufirin me Serbinë.

Nga ana tjetër, Komuna bën të ditur se shumë qytetarë që pajisen me çertifikatë vetëdeklarohen në sportele se arsyeja e marrjes së këtij dokumenti është udhëtimi.

Lidhur me këtë problem, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar: “Me Serbinë do të bisedojmë edhe për këtë çështje, sepse njerëzve po u mundësohet të kalojnë përmes Serbisë me letërnjoftim, pastaj nuk u mundësohet që me ato dokumente të kthehen në vendin e tyre. Këtu janë disa politika të shpopullimit të Kosovës të cilat për fat të keq po i pranojnë edhe qytetarët tanë që po dalin nga vendi. Por unë shpresoj se ky trend do të ndalet dhe jo vetëm kaq, por do të kthehen edhe ata që janë jashtë”. 

Top Channel