Kosovë, gjykata liron 130 protestues të arrestuar

29/01/2015 00:00

Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar rreth 130 protestues të arrestuar në manifestimin e së martës, ndërsa rreth 30 të tjerë po vazhdojnë të mbahen në paraburgim deri të premten, kur gjykata do të vendosë edhe për ta.

Kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi ka konfirmuar të enjten në mbrëmje përmes telefonit se gjykata nuk ka pasur bazë ligjore për të gjykuar mbi 90 për qind të të arrestuarve, pasi, siç tha ai, prokuroria i ka proçeduar lëndët e tyre jashtë afatit ligjor prej 24 orësh nga momenti që janë arrestuar.

“Kjo bën që ne të mos kemi bazë ligjore për t’i mbajtur në burgim të arrestuarit dhe kemi qenë të detyruar që t’i lirojmë menjëherë. Nuk e di pse ka ndodhur kjo vonesë prej prokurorisë, por kështu ka ndodhur”, tha Ibrahimi.

Kreu i Gjykatës Themelore po ashtu ka thënë se rreth 30 protestues të tjerë të cilët kanë mbetur në paraburgim të premten do të gjykohen dhe në vartësi të lëndëve dhe veprave për çfarë akuzohen do të merren edhe vendimet gjyqësore.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten gjatë ditës edhe tre protestues lidhur me dyshimet se ata kanë ushtruar dhunë ndaj policisë në protestën e së martës të organizuar nga  Vetëvendosje.

Top Channel