PDK e LDK: Shpend Ahmeti të dorëhiqet

28/01/2015 00:00

Përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Partisë Demokratike të Kosovës nga degët e Prishtinës kanë kërkuar të mërkurën dorëheqjen e kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, për sjelljet e tij në protestën e që u organizua të martën nga Vetëvendosje.

Grupi Parlamentar i LDK-së në Prishtinë ka shprehur një qendrim përmes një konference për media ku thanë se Shpend Ahmeti harroi të martën se është kryetar i kryeqytetit, harroi se është kryetar i të gjithë qytetarëve, se është udhëheqës dhe menaxhues i pasurisë së kryeqytetit.

Sipas asamblistëve të LDK-së, kryetari i Komunës Shpend Ahmeti doli të jetë një nga organizatorët e dhunës në kryeqytet. Sipas LDK-së, vetëm dorëheqja e Shpend Ahmetit do ta shpëtonte kryeqytetin nga cënimi i rëndë që i bëri demokracisë së brishtë vendit.

Edhe dega e Partisë Demokratike e Kosovës në Prishtinë i ka bërë thirrje të mërkurën Shpend Ahmetit që të japë dorëheqjen.

“Kryetari i Prishtinës me pjesëmarrjen dhe nxitjen e tij, dëshmoi përfundimisht se nuk është kryetar i qytetarëve shumicë në emër të të cilëve qeveris, por eksponent ekzemplar i një subjekti opozitar që programin e vet politik tenton ta imponojë në rrugë jodemokratike”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga PDK.

Por reagimeve të partive opozitare në kryeqytet iu dha përgjigje kryetari i Prishtinës, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook. Ahmeti ka thënë se partitë që udhëheqin vendin njëherë e kanë orkestruar arrestimin e tij, e pastaj edhe e akuzojnë pse u arrestua.

“Sami Hamitëve ju themi se e vërteta po kuptohet dita-ditës. Prej keqpërdorimeve në shesh e deri te tokat në Butofc. Do të kuptohen këto nga qytetarët e Prishtinës e krejt Kosovës. E mandej nuk do të mund të përdorni as policinë e as prokurorinë, sepse do ta kuptojnë edhe ata se nga kush po keqpërdoren”, ka shkruar kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Top Channel