Jabllanoviç drejt shkarkimit

28/01/2015 00:00

Ministri serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviç mund të
largohet së shpejti nga kabineti qeveritar i kryeministrit Isa Mustafa.

Burime të Top Channel brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se ministri për Komunitete dhe Kthim, Jabllanoviç do të largohet nga ekzekutivi kosovar pasi të qetësohet gjendja e krijuar nga protestat e organizuara nga opozita.

Mësohet se Qeveria do ta ndërmarrë këtë veprim me arsyetimin se deklaratat e tij  kanë dëmtuar marrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe komunitetit serb në Kosovë, për të cilat është investuar aq shumë që prej përfundimit të luftës në Kosovë.

“Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i penguan  serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t’i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi”. Ishte kjo deklarata e 6 janarit e Jabllanovic, që solli edhe reagimin e fortë më pas.
 
Një zyrtar i lartë në Qeverinë e Kosovës ka bërë të ditur me kusht anonimiteti se për largimin e Jabllanoviqit nga qeveria është diskutuar edhe në takimet e kryeministrit Isa Mustafa me ambasadorët e vendeve anëtare të Quint-it dhe tanimë edhe ndërkombëtarët janë pajtuar që ai duhet larguar nga qeveria.

Dy partitë e mëdha të koalicionit, PDK –LDK po punojnë që pas largimit të Jabllanoviç, Lista Serbe të mbetet brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, me qellim që të vazhdohet me integrimin e serbëve, sidomos të atyre që jetojnë në veri të vendit.
Kërkesa për largimin e Jabllanoviçit së pari ka nisur nga nënat e personave të zhdukur, pasi ministri serb i quajtur egërsira qytetarët shqiptarë që penguan vizitën e disa zyrtarëve serbë në Gjakovë.
 

Top Channel