Prishtinë, përleshje mes protestuesve dhe policisë. Dhjetëra të plagosur

27/01/2015 00:00

Protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër ministrit serb Jabllanoviç, e cila u përshkallëzua deri në dhunë dhe zhyti qendrën e Prishtinës për shumë orë në kaos, i kishte dhënë shenjat e tensionimit që prej mëngjesit.

Vetëvendosje kishte akuzuar policinë se po i pengonte autobusët me protestues, ndërkohë që Policia e Kosovës kishte marrë masat para fillimit të protestës, duke vendosur barrikada në një pjesë të sheshit “Ibrahim Rugova” rreth Kryeministrisë.

Kjo bëri që sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliçaj, me të nisur zyrtarisht tubimin, t’i japë një ultimatum prej 15 minutash Policisë së Kosovës, që të largonte barrikadat.

“I japim ultimatum Policisë së Kosovës, që për 15 minuta, të gjitha këto rrethime që ka vendosur për të mbrojtur ‘Skënderbeun’ nga ne, t’i largojë”, u shpreh Dardan Molliçaj, sekretar i LVV.

Në momentin kur mori fjalën deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, pas Molliçajt dhe deputetes së AAK, Donika Kadaj Bujupi, situata u përshkallëzua. Policia u sulmua me sende të forta, ndërsa u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Për orë të tëra, Policia e Kosovës ka provuar të largojë protestuesit nga tre sheshet qendrore të Prishtinës, fillimisht me gaz lotsjellës e më vonë edhe me autoblinda me ujë. Edhe protestuesit kanë sulmuar vazhdimisht Policinë e Kosovës, duke hedhur gurë e mjete të forta në drejtim të tyre.

Si pasojë e këtyre përleshjeve dhjetëra policë e protestues janë lënduar dhe po trajtohen nëpër qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë. Po ashtu dhjetëra protestues janë arrestuar, në mesin e të cilëve edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i cili u lirua pak minuta më vonë.

Përveç gazit lotsjellës, ujit e mjeteve të forta, është parë të hidhet edhe koktej molotovi nga ana e protestuesve. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar forcat policore, që sipas tyre kanë përdorur edhe plumba gome, nga të cilët sipas Vetëvendosjes është lënduar një aktivist i tyre.

Në anën tjetër, sheshet kryesore të kryeqytetit tashmë kanë pësuar dëme nga dhuna e vazhdueshme mes forcave policore dhe protestuesve.

Top Channel