Kosovë, ngrihet aktakuza ndaj grupit terrorist

26/01/2015 00:00

Prokuroria Speciale në Kosovë ka ngritur një aktakuzë ndaj pesë të pandehurve të akuzuar për vepra të ndryshme të lidhura me terrorizmin.

Mes tyre përfshihen: organizimi dhe drejtimi i një grupi terrorist; pjesëmarrje në grup terrorist; përgatitje e veprave penale terroriste; prodhim të paligjshëm të materialeve shpërthyese; posedim të paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve; nxitje të urrejtjes fetare; sulm të rëndë në territorin e Kosovës; si edhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Republikës Arabe të Sirisë.

Siç njoftohet në një komunikatë për shtyp të dërguar nga EULEX, të pandehurit janë arrestuar në Prishtinë teksa përpiqeshin të blinin një sasi të madhe armësh dhe municionesh ushtarake.

Arrestimi ka qenë rezultat i hetimeve në vazhdim e sipër të Drejtorisë së Policisë së Kosovës dhe të agjencive të tjera, pas sulmit të rëndë të kryer ndaj dy misionarëve të krishterë nga Shtetet e Bashkuara.

Në këtë hetim 14-mujor janë përfshirë analizat shkencore të Agjencisë së Forensikës së Kosovës dhe të ndihmës juridike ndërkombëtare nga shtetet anëtare të BE-së.

Rasti është duke u ndjekur penalisht nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale, përfundon komunikata.

Top Channel