Kosovë, Kuvendi mblidhet për migrimin ilegal, por nuk nxirret asnjë rezolutë

26/01/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës përfundoi debatin për migrimin ilegal të kosovarëve. Edhe pse ishte parashikuar që në fund të debatit të nxirrej një rezolutë, kjo nuk ndodhi për shkak të mungesës së kuorumit dhe për nevojën e harmonizimit të përmbajtjes së saj me të gjitha Grupet Parlamentare.

Në rast se ndodh harmonizimi i projektrezolutës mes tyre gjatë ditëve të ardhshme, Kuvendi mund ta hedhë në votim në seancat e radhës.

Seanca parlamentare e Kuvendit të Kosovës mbi ikjen masive të kosovarëve nga vendi i tyre u thirr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe temë debati në të ishte vetën migrimi ilegal, si e vetmja pikë në rend dite, por u injorua tërësisht nga qeveria e Kosovës.

Megjithatë, me apo pa pjesëmarrjen e kabinetit qeveritar, deputetët kosovarë e shtjelluan këtë fenomen si një ndër problemet më shqetësuese. Nismëtarja e debatit, Donika Kadaj Bujupi, tha se situata aktuale tregon më së miri gjendjen sociale, në të cilën është futur Kosova.

Ajo kritikoi qeverinë e Kosovës për mos marrjen e masave që parandalojnë këtë fenomen. Por, në këtë pikë, ajo tha se edhe Serbia po punon që të zbrazet Kosova, duke mos shtrënguar kufijtë.

Edhe deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se, si përfituese e liberalizimit të vizave, po shkel këtë marrëveshje duke i lejuar qytetarët e Kosovës që ta kalojnë lirshëm kufirin e Serbisë. Ajo tha se qytetet e Kosovës rrezikojnë të zbrazen, duke parë shifrat alarmante që posedonte.

Deputetët e Vetëvendosjes, ndërkaq, akuzuan qeverinë se në vend që të merret me gjendjen sociale në vend, trajton problemin që migrimi u shkakton vendeve të BE-së. Ndonëse deputetët nuk përmendën shifra konkrete të ikjes, duke i përgjithësuar ato, mësohet se vetëm në Hungari aktualisht ndodhen 21 mijë qytetarë, në krahasim me vitin 2013 kur në të gjithë BE-në ndodheshin 20 mijë.

Top Channel