Jabllanoviç, opozita nuk tërhiqet. Mocion në Kuvend dhe protestë në rrugë

26/01/2015 00:00

Opozita në Kosovë insiston në kërkesën për shkarkimin e ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç, por tashmë lufta do të bëhet në dy fronte, nëpërmjet seancës së jashtëzakonshme dhe protestës që do të mbahet të martën.

Me iniciativë të grupit parlamentar të AAK-së, deputetja Donika Kadaj Bujupi mblodhi nënshkrimet e deputetëve për një seancë të jashtëzakonshme brenda 24 orëve.

Sipas mocionit, Kuvendi pritet t’i kërkojë kryeministrit Isa Mustafa që ta shkarkojë ministrin serb dhe të proçedojë ligjin përmes të cilit Trepça shndërrohet në ndërmarrje publike.

Nga ana tjetër, në lëvizjen Vetëvendosje po bëhen përgatitjet për protestën e së martës. Lideri i saj, Albin Kurti njoftoi se marshi protestues do të nisë në sheshin Zahir Pajaziti për të vazhduar në sheshin Skënderbeu.

Kurti tha se protesta do të jetë paqësore dhe se këtë herë janë angazhuar më shumë kujdestarë, në mënyrë që të mos përsëriten ngjarjet e së shtunës.

Nga protesta e së martës është tërhequr shoqata “Thirrjet e Nënave”. Kjo, pasi kryetarja Nystrete Kumnova njoftoi se për shkaqe shëndetësore nuk do të mund të marrë pjesë në protestë.

Lidhur me këtë lëvizja Vetëvendosje kritikoi partitë në pushtet për presion ndaj shoqatës. Sa i përket të ardhmes pronësore të Trepçës, lëvizja insiston që qeveria duhet ta sjellë projektligjin e parë për shndërrimin e saj në ndërmarrje publike.

Lidhur me protestat e opozitës, të hënën reagoi përfaqësuesi special i BE-së, Samuel Zhbogar. Ai dënoi dhunën e dëshmuar në Prishtinë të shtunën dhe dëmtimin e pron?s publike dhe private q? pasoi protest?n publike.

Top Channel