Mustafa sulmon opozitën: VV, AAK dhe Nisma votuan kundër ndryshimit të ligjit për Trepçën

25/01/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i quan me dy fytyra deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të Vetëvendosjes dhe ata të Nismës, të cilët organizuan dhe mbështetën protestën e fundit. Këta deputetë, ditë më parë votuan për likuidimin e Trepçës dhe ishin të gatshëm që t’ua falnin kreditorëve nga Serbia dhe Greqia, shkruan Mustafa në profilin e tij në Facebook.

“Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, më 19 janar 2015 votuan kundër ndryshimit të ligjit, i cili duhej të nxirrej në momentet e fundit në Kuvend, për të pamundësuar një vendim gjykate e cila e çonte Trepçën në likuidim. Këta që dje thërrisnin Trepça është e jona dhe mbanin pankarta, atë ditë ishin të gatshëm që Trepçën t’ua dorëzonin kreditorëve, të cilët janë nga Serbia e Greqia, shqiptarë e serbë të korruptuar dhe me dokumente të dyshimta. Kjo është e vërteta jonë për Trepçën në këto momente dhe dyfytyrësia jonë”, thotë kreu i ekzekutivit kosovar.

Mustafa ka zgjedhur Facebook-un si rrugën për të vazhduar t’i japë përgjigje opozitës. Në shkrimin e tretë radhazi të publikuar  në rrjetin social, ai flet për Listën Serbe dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jabllanovic: “Për hir të së vërtetës, Listën Serbe dhe ministrin Jabllanovic nuk ua solli Isa. Ata i gjeta në mesin tonë. I solli veriu i ndarë, i sollën votat e qytetarëve serbë, i solli dialogu. Realiteti është se ata udhëheqin gati të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe se kanë 10 deputet në Kuvend. Ishte LDK-ja dhe unë që mbajtëm parimin se janë konsumuar vendet e rezervuara dhe nuk lëshuam pe; të gjithë tjerët përpos VV-së, të cilën edhe nuk e pyesnin, bënin gara si në ankand, se kush po jep më shumë. Për korrektësi duhet të them se Thaçi ishte më i matur sepse thoshte se ai e përkrah zgjatjen e vendeve të rezervuara, pasi është në koalicion me minoritetet, por nuk garanton se do të votojnë të gjithë deputetët e tij dhe se kjo nuk mund të arrihet pa LDK-në, kurse Ramushi e Behxheti nuk kishin kufi me zemërgjerësinë e tyre. Tani të mos flasin shumë, se nuk u ka hije, ose le ta thonë të vërtetën.”

Top Channel