Kosova miraton ligjin për luftëtarët: 15 vite burg kush shkon në luftë. Kurti: Është diskriminues

23/01/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për ndalimin e bashkimit të kosovarëve në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

Ky projektligj, që parashikon dënim me burg deri 15 vite për kosovarët pjesëmarrës në luftëra të huaja, u votua pro nga 74 deputetë, ndërsa 12 deputetë – shumica nga Vetëvendosje – votuan kundër, për shkak se Albin Kurti e quajti ligjin diskriminues për shqiptarët.

Sipas Kurtit, ligji është i papërgjegjshëm dhe është shkruar vetëm për t’iu pëlqyer ambasadave dhe se Kosova duhet ta luftojë terrorizimin duke nisur nga mbrojta civile serbe në veri të vendit.

“Ne duhet t’i luftojmë ekstremizmat në emër të Republikës e demokracisë, në njërën anë, dhe në emër të vlerave të kombit shqiptar, në anën tjetër. Jo t’i luftojmë në emër të Amerikës, apo në emër të civilizimit perëndimor, sepse nëse e bëjmë këtë gjë, e shndërrojmë Kosovën në fushëbetejë të përplasjes së civilizimeve”, tha Albin Kurti, deputet i Lëvizjes.

Ndërsa deputeti Gëzim Kelmendi, nga Partia e Drejtësisë, e ka mbështetur nxjerrjen e këtij ligji, i cili – sipas tij – do të ndalojë arrestimin e personave të pafajshëm siç ka ndodhur kohët e fundit, duke aluduar kështu në rastin e imamëve të liruar nga Gjykata e Apelit në Kosovë.

Votën pro miratimit të këtij ligji e ka kërkuar nga deputetet edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, pasi sipas tij ky ligj është një domosdoshmëri, për shkak se numri i kosovarëve që kanë shkuar në Siri dhe Irak është shqetësues, duke pasur parasysh proporcionin e popullsisë.

Gjatë debatit parlamentar për këtë temë, deputetja Vjosa Osmani ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, se përse Policia e Kosovës ka filluar të mbajë kohët e fundit jelekë antiplumb. Ndërsa ministri Hyseni i është përgjigjur se antiplumbët e policisë janë duke u përdorur nga të gjitha policitë e Evropës, që pas ngjarjeve të fundit në Francë.

Përsa i përket ligjit për ndëshkimin e kosovarëve, që marrin pjesë në luftëra jashtë vendit, ministri i Brendshëm tha se ai do ta plotësojë legjislacionin kosovar që trajton këtë dukuri, që nga nxitja e atyre të rinjve që shkojnë në Siri, e deri te ndëshkimi i atyre kur të kthehen.

“Institucionet e Kosovës do të bëjnë çdo gjë, që të parandalojnë faktin që Kosova të jetë burim i ekstremistëve të çfarëdo lloji, apo që Kosova të kthehet në strehë të ekstremistëve dhe luftëtarëve në luftëra të huaja, me fundament të pastër terrorist”, tha Skender Hyseni, ministër i Punëve të Brendshme.

Gjatë pjesës së parë të seancës së Kuvendit ka pasur edhe përplasje mes kryeministrit, Isa Mustafa, dhe disa deputetëve rreth zhvillimeve të fundit, pas deklaratave të ministrit serb, Aleksandër Jabllanoviç. Kryeministri u akuzua për mosshkarkim të Jabllanoviçit dhe u fajësua për tërheqje nga shndërrimi i Trepçës në ndërmarrje publike.

Por, kryeministri nuk qëndroi i heshtur, përballë akuzave të shumta ndaj tij dhe ministrave të kabinetit qeveritar. Mustafa ka kritikuar ashpër deputetët dhe politikanët, për gjuhën e rëndë që po përdorin ndaj tij, duke paralajmëruar edhe masa ndëshkuese.

Top Channel