Ministri austriak në Kosovë: Mbështetje për në KiE

20/01/2015 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz vizitoi sërish Kosovën. Kryediplomati austriak u takua në Prishtinë me kryeministrin Isa Mustafa, presidenten Jahjaga dhe homologun Hashim Thaçi.

Ministri Thaçi e njoftoi zotin Kurz për përgatitjet që shteti kosovar është duke bërë për të filluar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ministri austriak në këtë drejtim i premtoi atij përkrahje.

“Ne, me të gjitha përpjekjet tona ndërkombëtare, sidomos sa i përket organizatës së Këshillit të Evropës, do të përpiqemi që të japim mbështetjen tonë që atje të merrni 2/3 e votave të miratimit. Austria do të ndihmojë edhe në procesin e integrimit të vendit tuaj në Evropë”, premtoi Kurz.

Më tej ai vlerësoi lartë gatishmërinë e shprehur nga zëvendëskryeministrit Thaçi për të parandaluar çdo lloj ekstremizmi fetar.

Ndërkohë, takimi me presidenten Jahjaga u zhvillua në katedralen Nënë Tereza, ku të pranishëm ishin edhe krerët e komuniteteve fetare të Kosovës. Në bisedën e zhvilluar u vlerësua se toleranca dhe bashkëjetesa ndërfetare është një vlerë e çmuar për Kosovën si shtet laik.

Top Channel