Jahjaga në Vatikan, takim me Papa Françeskun

20/01/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka udhëtuar këtë të martë drejt selisë së shenjtë të Vatikanit, ku do të pritet në një takim kokë më kokë nga Papa Françesku.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Jahjaga ka bërë të ditur se në këtë takim do ta njohë atin e shenjtë me traditat e Kosovës dhe popullit të saj, rrugën e kosovarëve drejt lirisë, sakrificat për krijimin e shtetit dhe harmoninë fetare.

“Jam e nderuar për këtë pritje, e para e një udhëheqësi të Kosovës që nga pavarësia”, ka shkruar Jahjaga në profilin e saj.

Prej kohësh Kosova kërkon njohjen e pavarësisë së saj nga shteti i Vatikanit, por kjo ende nuk ka ardhur. Ndoshta vizita e Jahjagës në selinë e shenjtë do të jetë një ogur i mirë në këtë drejtim.

Top Channel