Prishtinë, fluks aksidentesh rrugore, 35 të lënduar

19/01/2015 00:00

Shërbimi emergjent në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mëngjesin e së hënës ka pranuar 35 të lënduar në 4 aksidente rrugore, në njërin prej të cilëve, në afërsi të Prishtinës, u përfshinë 8 automjete.

Policia njofton se shkaku kryesor i këtyrë aksidenteve kanë qenë ngricat në rrugët e vendit. Nga të lënduarit e pranuar në emergjencë, një pacient mashkull i moshës 25-vjeçare ka ndërruar jetë, ndërsa të tjerët po trajtohen në klinikat përkatëse.

Drejtori i qendrës emergjente në QKUK, Basri Lenjani, në një konferencë për shtyp tha se duhet të shtohen kapacitetet në shërbimin emergjent, pasi aktualisht kjo qendër funksionon me 22 shtretër dhe në raste si sot nuk është lehtë të menaxhohet.

“Shërbimet emergjente e dhanë edhe sot provimin. Ato kanë qenë në nivel të gatishmërisë. Klinika ka 22 shtetër dhe të pranonte 35 të lënduar në gjendje të rëndë nuk ka qenë e lehtë të menaxhohej. Duhet të ngrihen kapacitetet hapësinore, në aspektin profesional e akademik, me sigurimin e materialeve mjekësore, barnave dhe shpenzimeve”, deklaroi Lenjani.

Aksidentet kanë ndodhur në kohë të përafërt njëri me tjetrin dhe sipas Lenjanit, të lënduarit janë kryesisht persona të punësuar në Prishtinë e që po udhëtonin drejt kryeqytetit. Aksidenti i parë ndodhi në aksin rrugor Prishtinë-Mitrovicë, me 22 të lënduar, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë në QKUK dhe një tjetër në vendin e ngjarjes.

Aksidenti i dytë në rrugën Podujevë-Prishtinë me 8 të lënduar, 2 prej të cilëve rëndë, aksidenti i tretë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, me 4 të lënduar lehtë dhe aksidenti i katërt në Gjakovë, me një person të plagosur rëndë.

Basri Lenjani tha se pritet që brenda këtij viti të hapet tenderi për shtimin e kapaciteteve në qendrën emergjente në Prishtinë.

Ndërsa në mesditë bilancit tragjik të mëngjesit iu shtua edhe një njoftim tjetër për një aksident ku ka humbur jetën një 25-vjeçar nga Vushtrria, i cili u godit nga një makinë teksa po ecte në rrugë. Përveç viktimës, lëndime ka pësuar edhe një këmbësor tjetër i cili është dërguar për trajtim në QKUK.

Top Channel