Thaçi në Mal të Zi, bisedime për vijën kufitare dhe kthimin e malazezëve

16/01/2015 00:00

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim
Thaçi po zhvillon vizitën e parë zyrtare në Mal të Zi, ku është takuar me zyrtarët më të lartë të këtij shteti.

Fillimisht, ai është takuar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Igor Lukshiç. Në fokus të bisedimeve ka qenë vija e demarkacionit mes dy vendeve, për të cilën palët janë shprehur të gatshme për ta zgjidhur dhe nënshkruar marrëveshjen brenda vitit.

Një tjetër çështje e prekur ka qenë ajo e kthimit të malazezëve në komunën e Shterpcës, me Thaçin që i ka premtuar homologut përmbushjen e kushteve për ta realizuar atë.

Pas takimit, dy ministrat e Jashtëm Hashim Thaçi dhe Igor Lukshiç kanë mbajtur një konferencë për shtyp ku kanë rikonfirmuar bashkëpunimin mes dy vendeve.

“Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë të njëjtin vizion për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian. Në këtë drejtim, ky anëtarësim është në interes jo vetëm të Malit të Zi, por edhe për sigurinë afatgjate të rajonit tonë”, deklaroi Thaçi.

“Me këtë takim ne po vazhdojmë marrëdhëniet e mira që ne kemi ndërtuar. Vitin e kaluar ne kemi nënshkruar nëntë marrëveshje, ndërsa shumë të tjera janë në proces të nënshkrimit. Kusht për suksesin e integrimeve evropiane janë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”, deklaroi Lukshiç.

Më pas, zëvendëskryeministri Thaçi ka vazhduar takimet me zyrtarët e tjerë, mes të cilëve kryeministrin Milo Gjukanoviç, presidentin Filip Vujanoviç, si dhe me kryetarin e Parlamentit, Ranko Krivokapiç.

Të gjitha takimet janë zhvilluar në rezidencën Vila Gorica të Podgoricës, e cila është e rrethuar nga qindra policë të njësive speciale malazeze për të siguruar që vizita të kalojë pa incidente.

Ndërkohë në kryeqytetin malazez janë zhvilluar protesta kundër vizitës, me turma serbësh dhe malazezësh që e kanë quajtur Thaçin kriminel lufte. Një gazetë në Podgoricë ka publikuar sot emrat e ushtarëve malazezë që janë vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Pas takimeve në Podgoricë, zëvendëskryeministri Thaçi është nisur me helikopter për në Ulqin, ku do të takojë zyrtarët vendorë shqiptarë dhe do të japë një mesazh për shqiptarët e atjeshëm.

Top Channel