Sfidat e Kosovës për 2015-ën

16/01/2015 00:00

Në një lidhje direkte nga studio e Top Channel në Prishtinë Dren Doli, nga grupi për studime politike dhe juridike, foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” mbi sfidat që do të përballet Kosova në 2015-ën.

Ai vlerësoi si sfidën më të rëndësishme për qeverinë e re dhe për
Kosovën dialogun me Serbinë, ku sipas tij, mendimet mbi vazhdimin e
dialogut kanë ndryshuar brenda koalicionit që pas vizitës së zotit Vuçiç
në Kosovë.

Zoti Doli shtoi se Kryeministri Mustafa dhe qeveria e drejtuar nga ai do të ketë një barrë shumë të rëndë për të garantuar 2/3 e votave për të miratuar amendamentet kushtetuese për të vënë në jetë Gjykatën Speciale. Sipas tij kjo do të jetë edhe nisja e konfliktit të ri brenda Kuvendit, “ndoshta edhe mes partnerëve”, shprehet Doli.

Pandi Gjata: Si ka nisur ky vit i ri në Kosovë, tashmë me qeveri të re?

Dren Doli: Kjo qeveri dhe koalicioni i saj e ka filluar punën me kontestime, sidomos ndarjet brenda LDK kanë ndikuar në atmosferën qeverisëse dhe kjo është reflektuar edhe në dinamikën e punëve dhe në orientimin e qeverisë së Kosovës. Ka pasur dy perspektiva sesi ky koalicion është parë. Perspektiva e parë ka të bëjë me atë që këto dy parti politike kanë tentuar që të arrijnë për të pasur një qeverisje të qëndrueshme, e cila bazohet në një shumicë shumë të madhe të numrave brenda Kuvendit. Perspektiva e dytë kryesisht është fokusuar në argumentin që ky koalicion do të reflektojë në nivelin e brendshëm demokratik dhe besoj që kjo gjë nuk ka qenë argumenti mbi të cilin është krijuar ky koalicion. Ne e kemi kundërshtuar këtë koalicion, duke menduar se Kosova ka nevoi për demokraci të brendshme dhe stabiliteti i një qeverie nuk është shumë i rëndësishëm në këtë fazë.

Pandi Gjata: A kanë besim Thaçi dhe Mustafa te njëri-tjetri?

Dren Doli: Nuk besoj. Zoti Mustafa është treguar një lider i paparashikueshëm, shpesh herë ka ditur të tradhtojë personat që i kanë besuar, kjo ka ndodhur me zotin Sejdiu. Çështja e dytë ka të bëjë me mënyrën sesi Mustafa i trajtoi partnerët e koalicionit VLAN dhe në këtë kontekst besoj se zoti Thaçi deri kur të marrë votën për president ka dhe do të mbajë rezerva shumë të mëdha karshi zotit Mustafa.

Pandi Gjata: Kemi sfida shumë të rëndësishme për këtë qeveri, por edhe për Kosovë. E para është ekonomia, e dyta është Gjykata Supreme, por argumenti tjetër është edhe dialogu i Prishtinës me Beogradin. Si i shikon këto tre sfida për qeverinë, por edhe për Kosovën gjatë këtij viti?

Dren Doli: Në kuptim të stabilitetit politik në Kosovë këto sfida do t’i rendisja më ndryshe. Sfida e parë që do t’i paraqitet Kosovës ka të bëjë me vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, sidomos që pas vizitës së Vuçiç. Mendimet brenda koalicionit kanë filluar të ndryshojnë mbi mënyrën sesi ky dialog duhet të vazhdojë. Sfida e dytë ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale. Në këtë kontekst Kosova e ka të nevojshme që të miratojë amendamente kushtetuese për të vënë në jetë këtë gjykatë. Zoti Mustafa dhe kjo qeveri do të kenë një barrë shumë të rëndë për të garantuar që i ka numrat e mjaftueshme, 2/3 e votave. Duke pasur parasysh ndarjet që ka LDK brenda partisë dhe ikjen e disa deputeteve të PDK nga grupi parlamentar i saj, mendoj që kjo do të jetë edhe pikënisja e lindjes së një konflikti të ri brenda Kuvendit të Kosovës, ndoshta të një konflikti edhe brenda partnerëve të koalicionit. Natyrisht që edhe ekonomia mbetet njëra nga sfidat kryesore të Kosovës. Së fundi kemi një valë shumë të madhe të emigrimit të qytetarëve të Kosovës. Ekonomia është një ndër çështjes që i ka shtyrë këta qytetarë të emigrojnë.

Pandi Gjata: Viti 2015 do të jetë interesant dhe do të ketë shumë vëmendje në Prishtinë. Ju përmendët vizitën e Vuçiç në Kosovë, deklaratat e pritshme nacionaliste të tij, por a mendon se ka ardhur koha që Kryeministri Mustafa të vizitojë shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Dren Doli:
Besoj që pas arritjes së marrëveshjes për lëvizje të lirë ka qenë koha për një vizitë të tillë. Zoti Thaçi mund të kishte vizituar zonat ku jetojnë shqiptarë në Serbi, por natyrisht që një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe tani mbetet që zoti Mustafa të tregojë dallimin e tij me zotin Thaçi. Shpresojmë që një gjë e tillë të ndodhë në mënyrë që edhe qeveria e Kosovës të fillojë të reflektojë mbi mënyrën se si ajo ka për të ndikuar për të treguar pozicionin e saj ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ajo që ndodhi me vizitën e Vuçiç ishte një përgjigje që Kosova dhe BE-ja nuk e kishin pritur. Deklaratat nacionaliste të Vuçiç u mbështetën edhe nga ministrat që janë pjesë e qeverisë së Kosovës dhe ato janë shumë shqetësuese dhe kërkojnë një përgjigje jo retorike nga qeveria e Kosovës. Lajmi më shqetësues është që zoti Vuçiç premtoi investime të mëtejshme në strukturat paralele. Ai ka filluar të emërojë kryetarë komunash që janë të zgjedhur dhe kjo po i bënë serbët në Kosovë që të kthehen mbrapa dhe të mendojnë se Kosova nuk ka bërë hapa përpara dhe që Serbia mbetet ende një faktor i rëndësishëm në mënyrën sesi Kosova do të eci përpara dhe kjo e shkatërron të gjithë atë investim ndërkombëtar në dialogun Kosovë-Serbi.  

Top Channel