Protesta kundër KEDS dhe Jabllanoviç, përleshje me policinë

16/01/2015 00:00

Aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje janë përplasur të premten me forcat e policisë para selisë së Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, në Fushë Kosovë, teksa kanë protestuar kundër deklaratave të ministrit serb Aleksandar Jabllanoviç.

Sipas Vetëvendosjes, agjentët e policisë kanë reaguar duke arrestuar disa nga aktivistët e saj, të cilët janë: Etleva Malushaj, Nora Fetoshi, Egzon Balaj, Petrit Ademi, Agron Kabashi, Frashër Krasniqi, Boiken Abazi dhe Gëzon Kastrati.

Ndërkohë, i njëjti burim raporton për persona të lënduar nga ndërhyrja e forcave të rendit që kanë përdorur gaz lotësjellës për shpërndarjen e turmës. Ato flasin gjithashtu për 19 të arrestuar në total dhe për keqtrajtimin e tyre në stacionin policor të Fushë Kosovës.

Protestat, të cilat kanë nisur më herët gjatë muajit, mbahen kundër deklaratës së ministrit serb që i cilësoi “egërsira” familjarët e personave të zhdukur në Gjakovë.

Për këtë arsye, si shoqëria civile ashtu edhe segmente të caktuara politike kërkojnë nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa shkarkimin e Jabllanoviç nga posti i ministrit për Kthim dhe Komunitete dhe i zv.kryeministrit.

Nga ana tjetër, protesta janë zhvilluar edhe para ndërtesës së distributorit të energjisë, KEDS, lidhur me çmimet e larta të energjisë elektrike.

Gjatë përpjekjeve të Policisë së Kosovës për të larguar protestuesit janë lënduar 4 persona, 2 prej të cilëve rëndë dhe menjëherë janë dërguar në qendrën emergjente të QKUK-së në Prishtinë.

Ndërkohë është arrestuar aktivisti i Klubit Politik të Studentëve, Eroll Gashi. Kjo është dita e pestë që studentë dhe qytetarë protestojnë për uljen e çmimit të energjisë elektrike. 

Top Channel