Thaçi në Mal të Zi, takime me krerët e vendit

15/01/2015 00:00

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim
Thaçi ka udhëtuar të enjten drejt Podgoricës për një vizitë zyrtare, ku do të
pritet nga krerët më të lartë të shtetit.

Kryediplomati kosovar do të pritet të premten në mesditë në takime të veçanta nga presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kryeministri Milo Gjukanoviç dhe kryetari i Kuvendit, Ranko Krivokapiç.

Mali i Zi është blinduar tërësisht për këtë vizitë. Nga kufiri që ndan Shqipërinë me këtë vend, në pikën kufitare Hani i Hotit e deri në Podgoricë ka shumë forca policore që po kujdesen që eskorta e kryediplomatit kosovar të kalojë pa probleme rrugën deri tek Vila Gorica, ku do të vendoset delegacioni i tij.

Për ta pritur Thaçin në kufirin shqiptaro-malazez kishte dalë edhe i ngarkuari me punë i Kosovës në Podgoricë, Sërgjan Sentiç. Ai ishte i shoqëruar nga agjentë sigurie, të cilët po ashtu po ruajnë që nga dita e djeshme Ambasadën e Kosovës në Podgoricë.

Ndërkohë, për ta përshëndetur atë kishin dalë edhe shumë banorë shqiptarë të qytetit të Tuzit. Top Channel ka mësuar se veç takimeve me zyrtarët e lartë, Thaçi do të vizitojë edhe Ulqinin, ku do të takohet me zyrtarët vendorë shqiptarë, si dhe deputetë shqiptarë të Kuvendit malazez.

Vizita e Thaçit në Podgoricë ka ngjallur shumë reagime, deri në organizimin e protestave kundër saj. Këto reagime kanë shtyrë autoritetet e sigurisë që të shtojnë nivelin e gatishmërisë.

Mediat në Podgoricë kanë raportuar se ka pasur tendencë të planifikimit të sulmit ndaj eskortës së Thaçit, çka ka çuar edhe në reduktimin e axhendës së tij. Serbë të Kosovës që jetojnë në Mal të Zi kanë paralajmëruar protesta kundër vizitës.

Top Channel