Prishtinë, shpërthen bombola e gazit, plagosen dy persona

13/01/2015 00:00

Dy persona janë lënduar si pasojë e një shpërthimi në lagjen Dardania në Prishtinë. Dyshohet për shpërthim të një bombole gazi. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë mbërritur zjarrfikësit, policia dhe ndihma e shpejtë. Të lënduarit janë dërguar në emergjencën e Qendrës Klinike Universitare.

Drejtori i qendrës emergjente në QKUK, Basri Lenjani, konfirmoi për Top Channel se kanë pranuar një mashkull dhe një femër me lëndime serioze. Lenjani tha se pas trajtimit në emergjencë duhet të ketë intervenim të kirurgjisë plastike, por ende nuk bëhet e ditur shkalla e djegies.

Ndërsa Idriz Pllana, pronari i banesës së djegur, ka treguar se në gjendje të rëndë është djali i tij 17-vjeçar.

Sipas njësitit të zjarrfikësve, shpërthimi ka qenë i fortë. Përveç dëmeve në banesën ku ka shpërthyer zjarri, janë dëmtuar edhe banesa të tjera fqinje.

Për më shumë se gjysmë ore, në bllokun e banesave ku ka ndodhur ngjarja është ndërprerë edhe energjia elektrike.
Ndërkohë njesitet përkatëse të Policisë së Kosovës, po merren me hetimin e rastit.

Top Channel