Kosovë, veteranët e UÇK-së padisin rektorin

13/01/2015 00:00

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbledhjen e
së martës ka vendosur të padisë rektorin e Universitetit të Prishtinës,
Ramadan Zejnullahu.

Kryesia e akuzon zotin Zejnullahu për mosrespektim të memorandumit që parashikonte regjistrimin në universitet të fëmijëve të kategorive të dala nga lufta pa iu nënshtruar provimit pranues, gjatë kohës që ai ishte në fuqi.

“Prishja e njëanshme e memorandumit nga rektori vlen për vitin e ardhshëm akademik, e kurrësesi për vitin akademik 2014/15, kur memorandumi ishte në fuqi. Duke e konsideruar këtë akt si shumë të papërgjegjshëm, si dhe tallje me Organizatën si palë nënshkruese dhe studentët, që kanë shumë muaj që kanë nisur të ndjekin studimet, padia në gjykatë është e domosdoshme”, thuhet në një njoftim për shtyp të Organizatës.

Veteranët e UÇK-së përmes kësaj komunikate kanë ftuar organet kompetente që të kontrollojnë dhe verifikojnë listat e kandidatëve për regjistrimin në universitet.

Rektori Ramadan Zejnullahu më 9 janar mori vendimin për ndërprerjen e memorandumit me Organizatën e Veteranëve të Luftës.

Top Channel