Kosova përgatitet për vizitën e Vuçiç

13/01/2015 00:00

Komuna e Graçanicës, vetëm pak kilometra larg Prishtinës, është mbushur me simbole të Serbisë në pritje të vizitës së kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç.

Vetë zëvendëskryeministri serb i qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviç, të martën ndodhej në qendër të qytezës ku po përgatitej skena për kryeministrin Vuçiç.

Serbët e Graçanicës shpresojnë se vizita e tij në Kosovë do të ndikojë në mirëqenien e tyre, edhe pse janë skeptikë se politikanët mund t’ua përmirësojnë jetën.

“Të dy kryeministrat, edhe ai i Kosovës edhe ky i Serbisë, nuk punojnë për interesat e qytetarëve. Përkundrazi, ata punojnë në dëm të qytetarëve. Nga bisedimet ndërmjet tyre ne nuk kemi pasur dobi. Ata vetëm sa i ndajnë njerëzit, nuk i bashkojnë”, thotë një banor serb.

“Uroj për një miqësi pa kushte, pavarësisht se kujt i përkasin njerëzit në Graçanicë e në tërë Kosovë e Metohinë, pa harruar Serbinë. Gjithashtu uroj të kemi punësim. Pikërisht këtë dëshiron edhe Vuçiç dhe mendoj se e ka me të drejtë”, thotë një tjetër.

Kryeministri serb Vuçiç do të hyjë në territorin e Kosovës të mërkurën në ora 9 e 30, në pikën kufitare Dheu i Bardhë. Në hyrje të Kosovës atë do ta presin edhe disa të rinj serbë që janë organizuar nga komuna e Ranillugut.

E teksa nëpër rrjete sociale e media lokale raportohet shkrimi i parullave anti-Vuçiç, qytetarët në Prishtinë e komentojne në mënyra të ndryshme vizitën e tij.

“Mendoj që pasi ka marrë leje nga institucionet e Kosovës është një vizitë e njëjtë sikurse të gjitha vizitat e kryeministrave në Kosovë”, thotë një prej tyre.

“Besoj se nuk duhet të vijë, sepse kjo mund të merret si provokim dhe pastaj të ketë protesta, sikurse ndodhi në Gjakovë”, thotë një tjetër.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka kërkuar që gjatë qëndrimit në territorin e Kosovës të shoqërohet edhe nga pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it, ndërsa vizita e tij zyrtarisht është miratuar nga qeveria e Kosovës për arsye të festës së Vitit të Ri Ortodoks.

Top Channel