17 mijë arsimtarë në grevë: Të zbatohet Kontrata Kolektive

13/01/2015 00:00

Rreth 17 mijë mësimdhënës të nivelit parauniversitar në Kosovë kanë hyrë
në grevë dhe nuk kanë mbajtur orën e parë të mësimit, si shenjë
proteste për mos fillimin e zbatimit të Kontratës Kolektive.

Edhe pse greva ka qenë e paralajmëruar, nxënësit kanë shkuar sipas orarit mësimor në shkollë, por që është dashur të qëndrojnë të vetëm në klasë gjatë një ore mësimi, pasi mësimdhënësit po bënin grevë.

Arsimtari i lëndës së kimisë në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë, Selami Salihu, në emër të Sindikatës së Arsimit i udhëzoi kolegët e tij për grevën njëorëshe.  

Ai shpreson që Qeveria do të nisë zbatimin e marrëveshjes kolektive, e cila do t’u siguronte mësimdhënësve pagesën prej 2 euro në ditë për ushqimin, rritjen e pagës prej 0.5 përqind për çdo vit përvoje në punë, si dhe pagesën e 75 përqind të transportit.

“Qëllimi kryesor është mos zbatimi i kontratës kolektive. Kjo është ajo që neve na ka detyruar që së paku t’i tërheqim vëmendjen Qeverisë së Kosovës sepse ajo ka qenë nënshkruese dhe tani kërkojmë që të zbatohet në përpikëri, domethënë si paketë e përgjithshme”, tha Salihu.

Kërkesave të mësimdhënësve gjatë ditës u është përgjigjur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ministri Arsim Bajrami ka kërkuar nga mësimdhënësit që t’i japin pak kohë për trajtimin dhe plotësimin e të gjitha kërkesave.

“Sa i përket grevës Ministria e Arsimit është duke biseduar me Sindikata. Ne kemi marrë të gjitha veprimet e nevojshme për plotësimin e kontratës kolektive dhe nga gjitha kërkesat vetëm një s’është plotësuar kërkesa për shujtë por jemi duke punuar që edhe kjo kërkesë të merret në konsideratë në momentin e caktuar nga Qeveria dhe unë ftoj të gjithë mësimdhënësit që të kenë mirëkuptim. Qeveria është e re ka vetëm një muaj, pra të kenë mirëkuptim dhe të japin kohë për trajtimin dhe plotësimin e të gjitha kërkesave të Sindikatave”, tha Bajrami.

Derisa Qeveria e Kosovës të shqyrtojë zbatimin e kontratës kolektive me mësimdhënësit, Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka paralajmëruar që më 22 janar të mos mbahen dy orë mësim, ndërsa më 30 janar të bojkotohet tërë procesi mësimorë për një ditë.  

Ndërsa nëse Qeveria nuk e zbaton Kontratën Kolektive me rastin e dhënies së pagave më 1 shkurt, atëherë Sindikata e Arsimit ka planifikuar grevë të përgjithshme.

Top Channel