Thaçi në Tiranë, takon krerët e politikës shqiptare

12/01/2015 00:00

Vizitën e parë si ministër të Jashtëm, ish-kryeministri kosovar Hashim Thaçi e nisi në Tiranë dhe jo aq rastësisht, pikërisht në ditën kur shefi i qeverisë së Beogradit, Aleksandar Vuçiç nisi vizitën dyditore në Kosovë.

“Nuk kemi axhendë të njëjtë me kryeministrin e Serbisë. Ai ka të vetën, ne kemi tonën. Ne jemi shtete të pavarura dhe këto vizita që bëhen në rajon janë vizita të fqinjësisë së mirë, mesazhit evropian dhe euro-atlantik”, deklaroi Thaçi.

Dy ministrat e Jashtëm shqiptarë, Ditmir Bushati e Hashim Thaçi nga ky takim gjithashtu bënë me dije se qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës do të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët në muajin mars. Një vit plot nga mbledhja e Prizrenit, me një axhendë ambicioze për rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve, pyetja që ngrihet është çfarë është arritur?

Ditmir Bushati thotë se ka disa fusha ku është rritur bashkëpunimi, por pa i përmendur ato, ndërsa më i detajuar është në njehësimin e politikës së jashtme mes Shqipërisë dhe Kosovës. Hashim Thaçi ia lë këtë bilanc mbledhjes së marsit.

“Të presim deri në mars për të parë deri ku kemi shkuar me punët e këtyre gjërave, për të cilat jemi dakorduar në Prizren dhe për të verifikuar bashkëpunimin institucional”, tha Thaçi.

“Por për ta parë edhe me sy më kritik orientimin tonë për vitin e ardhshëm”, vijoi Bushati nga ana e tij.

Shqipëria dhe Kosova do të kenë pjesë të kësaj axhende edhe konferencën e Vjenës në gusht, që pason atë të Berlinit. “Kërkojmë të ketë një rakordim të qartë në këtë proces mes Shqipërisë dhe Kosovës. Jo si një kërcënim ndaj askujt, por si një realitet që ndihmon në stabilitetin rajonal dhe përshpejton të ardhmen euro-atlantike”, tha Bushati.

Paralelisht me bashkëpunimin me Kosovën, Shqipëria do vijojë komunikimin edhe me Serbinë, kur më datë 23 janar, në nivel të ministrave të Jashtëm do të mbahet në Romë takimi trepalësh nën iniciativën e Italisë.

Zëvendëskryeministri kosovar u prit në takim edhe nga kryeministri Edi Rama, me të cilin u theksua angazhimi dhe përkushtimi i ndërsjellë i dy qeverive për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në sektorë për të cilët janë dakorduar projekte të rëndësishme si në arsim, infrastrukturë e dogana, si dhe shprehën vullnetin për hapësira të reja bashkëpunimi.

Nevojën e zbatimit të marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë, Thaçi e theksoi në takimin me Ilir Metën. Ndërsa ky i fundit shprehu besimin tek koalicioni i ri qeverisës në Prishtinë për të ecur më shpejt jo vetëm me reformat kombëtare.

“Por njëkohësisht jam i bindur se kjo qeveri do çojë më tej projektet e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke pasur parasysh takimin e paralajmëruar të dy qeverive në muajt e parë të këtij viti”, deklaroi Meta.

Më vonë gjatë ditës Thaçi është pritur në një takim edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim. Pasi i uroi suksese qeverisë së re të Kosovës, Basha përshëndeti marreveshjen për bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së.

Gjithashtu, Basha shprehu besimin se ndërtimi i qeverisë me bazë të gjërë do t’i shërbejë më së miri interesave të qytetarëve të Kosovës, ndërmarrjes së reformave të rendësishme për përshpejtimin e procesit të integrimit europian dhe liberalizimit të vizave, njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës dhe antarësimit të saj në organizatat ndërkombetare.

Më tej kreu i PD rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Partisë Demokratike për të gjitha nismat dhe hapat që forcojnë në mënyrë konkrete dhe të matshme bashkëpunimin mes Shqipërsië dhe Kosovës.

Gjatë pasdites shefi i diplomacisë kosovare u prit nga presidenti Bujar Nishani, i cili gjithashtu vlerësoi krijimin e qeverisë së re të Kosovës, duke e cilësuar si vendimin më të drejtë dhe të arsyeshëm për perspektivën e këtij vendi.

Në kryeqytetin shqiptar Hashim Thaçi mori titullun Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

Top Channel