PD: Goditet gazetari Skuqi. Reagon MPB, hedh poshtë akuzat

12/01/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi këtë të hënë Kryeministrin Edi Rama se ndërsa
predikon fjalën e lirë në Paris, në vendin që ai drejton gazetarët
dhunohen në mes të ditës dhe fare pranë institucioneve të policisë.

Sipas kesaj partie, ne Gjirokaster eshte ushtruar dhune ndaj gazetarit Telnis Skuqi dhe policia ka vonuar edhe marrjen e denoncimit.

“Gazetari Skuqi është i njohur  për qëndrimet e tij kritike e për investigimin e korrupsionit e të trafikut të drogës. Nuk është aspak rastësi goditja e tij në mes të ditës dhe fare pranë zyrave të shtetit.Nuk është rastësi, dhe këtë e vërteton qartazi fakti që komisariati i Gjirokastrës disa orë pas ngjarjes vazhdonte të mos pranonte kallëzimin e tij me pretekste të papranueshme. Teksa Edi Rama bën gjithcka që të shesë si demokratik konceptin e tij të lirisë së shprehjes në Paris, këtu në vendin që ai qeveris, fjala e lirë goditet, gazetari dhunohet në derën e komisariatit, deputeti i opozitës goditet. Revanshi agresiv ndaj fjalës ka burim frymëzimi kryeministrin e vendit. Duke kërcënuar opozitën, duke organizuar skenarin e dhunës në parlament, duke mos dënuar e duke mos u distancuar nga kërcënimi i Kryetarit të opozitës, Edi Rama ka dhënë miratimin e tij për goditjen e fjalës së lirë. Këto janë simptomat e regjimit të fshehjes dhe mbylljes së gojës, që Edi Rama dhe oligarkia e tij po ndërtojnë në cdo instancë”, tha sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma.

MPB hedh poshtë akuzat e PD

Pas akuzave të Partisë Demokratike ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila ka paraqitur dokumentet se gazetarit Telnis Skuqi i është marrë kallëzimi sipas të gjitha rregullave.

“Vetë shtetasi Skuqi, në denoncimin e bërë në Polici është shprehur: ‘Dua të theksoj se nga ana e policisë, pas denoncimit që unë kam bërë janë kryer të gjitha proçedurat ligjore dhe nuk kam asnjë ankesë në adresë të tyre, pasi janë përgjigjur në kohë dhe në mënyrë profesionale’”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

Në fund, ministria fton Partinë Demokratike që të heqë dorë nga gjuha e baltës dhe mashtrimit.‎ “Pushteti i shpifjes pa hesap që përdor opozita nuk mund të jetë instrument për politikë dite”, mbyllet reagimi. 

Top Channel