PD-ja denoncon kreun e SHKB-së. Strazimiri: Person “non-grata” në Itali

11/01/2015 00:00

Partia Demokratike denoncoi emërimin e Drini Bellos në krye të SHKB-së së Tiranës. Deputeti Genti Strazimiri tha se ish-konsulli shqiptar në Romë është larguar nga Italia në vitin 2003, pasi policia e vendit fqinj e survejonte për trafik armësh dhe droge.

Sipas Strazimirit, vëllai i Bellos u arrestua dhe u dënua për trafik droge nga autoritetet italiane, ndërsa Rama atë e ka emëruar në krye të SHKB-së së kryeqytetit.   

“Në vitin 2003, me kërkesë të shtetit italian, u largua nga detyra e konsullit shqiptar në Romë, Drini Bello. Ai survejohej gjatë gjithë kohës nga policia, pasi kishte dyshime të vazhdueshme për përfshirje në trafik droge dhe armësh, duke shfrytëzuar imunitetin diplomatik dhe faktin se makina e tij ishte e mbrojtur me targa CD. Në përfundim të operacioneve të saj, policia italiane arrestoi vëllanë e konsullit, i cili edhe u dënua për trafik droge, ndersa konsulli Drini Bello i shpallur “persona non-grata”, u shkarkua nga autoritetet tona. Me Edi Ramën, Drini Bello është rilindur sigurisht. Sot ai është shefi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për Tiranën, në strukturat e Ministrisë së Brendshme, me detyrën e mbikqyrjes së policëve shqiptarë që të mos merren me drogë e trafiqe të paligjshme. Për ish-konsullin e përfshirë në skandalin e trafikut të drogës dhe armëve me makinën e tij CD, dhe që përdorte edhe konsullatën si bazë, si burim i vlefshëm informacioni për “të painformuarin” kryeministër, mund të shërbejë Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll AgaciAi do t’i japë më shumë informacion, pasi ka qënë jo vetëm dëshmitar i ngjarjes, por avokat i vëllait të konsullit që u kap dhe u dënua nga drejtësia italiane për trafik droge”, tha deputeti Strazimiri.

Top Channel