Kosovë, javën e ardhshme arsimi në grevë

10/01/2015 00:00

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë ka vendosur që të martën e javës së ardhshme, ora e parë e mësimit në të dy turnet, në të gjitha shkollat e Kosovës, të mos mbahet.

Greva do të mbahet në shenjë proteste për moszbatimin e 4 pikave të Kontratës Kolektive dhe paralajmërohet se kjo formë e grevës është vetëm fillimi i shprehjes së pakënaqësive ndaj qeverisë.

Vendimi u mor të shtunën në takimin e Këshillit Drejtues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, ku kryetari i saj, Rrahman Jasharaj tha se kjo grevë do të ndryshojë nëse pagat e janarit nuk merren sipas kontratës.

Jasharaj deklaroi se, nëse qeveria nuk reagon pas kësaj greve në dy orë mësimi, atëherë më 30 janar do të mbahet grevë e përgjithshme njëditore. Ndërsa nëse pas janarit nuk përmbushet kontrata kolektive, sindikalistët kanë paralajmëruar greva të përgjithshme.

Katër pikat e parealizuara nga Kontrata Kolektive janë: pagesa 2 euro e ushqimit për çdo ditë pune, kompensimi prej 0,5 për qind për çdo vit të shërbimit, kompensimi prej 70 për qind për biletat e udhëtimit për mësimdhënësit në pension dhe tri paga mesatare për mësimdhënësit për daljen në pension.

Kontrata Kolektive është nënshkruar në mars të vitit të kaluar dhe përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës në atë kohë deklaruan se do të ishin garantues të zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe se do të siguronin përmbushjen e të drejtave që u takojnë punëtorëve.

Top Channel