Mustafa, në pritje të Kryesisë së LDK për zv.ministrat

09/01/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është në pritje të Kryesisë së partisë së tij për të caktuar emrat e zëvendësministrave.

Mustafa, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ku u vendos të shpallen zgjedhjet partiake, tha se shumë shpejt do ta kompletojë kabinetin qeveritar.

“Për zëvendësministra është autorizuar Kryesia që të diskutojë, ndërsa ne do të fillojmë të punojmë aktivisht për këtë punë javën që vjen”, u shpreh Isa Mustafa.

Kreu i ekzekutivit nuk ka lënë pa komentuar edhe deklaratat e ministrit të tij, Aleksandër Jablanoviç, i cili ditë më parë i kishte quajtur egërsira familjarët e personave të zhdukur shqiptarë, të cilët po mundoheshin ta pengonin vizitën e pelegrinëve serbë në Gjakovë.

“Dëgjova sot një reagim të tij, se në njëfarë forme është tërhequr nga ajo deklaratë, sepse nuk ka pasur informata të mjaftueshme dhe nuk e ka menduar atë që ka thënë. Më vjen mirë, që ai vet është tërhequr, sepse nuk guxon askush t’i quajë të egër, njerëzit të cilët shprehin mendimin e tyre, pavarësisht nëse është apo jo i arsyeshëm. Por, unë mendoj se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin”, tha kryeministri Mustafa.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së miratoi rregulloret e punës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Partia e Isa Mustafës ka vendosur që, deri në muajin maj të mbajë zgjedhjet partiake, ndërsa ende nuk dihet se kush do të garojnë për kreun e LDK-së.

Top Channel