Kosovë, Marrëveshja Kolektive nuk gjen zbatim

07/01/2015 00:00

Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e nënshkruar në mars të vitit të kaluar dhe e parashikuar të nisë zbatimin në janar të vitit 2015 nga sektori publik dhe ai privat nuk po gjen zbatim.

Kjo marrëveshje, e arritur mes Qeverisë dhe odave ekonomike të sektorit privat, parashikon që nga janari i këtij viti punëdhënësit t’u paguajnë punëtorëve ushqimin gjatë punës, sigurimin shëndetësor dhe vitet e përvojës.

Qeveria e Kosovës, që është punëdhënësi më i madh me rreth 80 mijë punonjës, është e para që nuk mund të zbatojë marrëveshjen plotësisht për shkak të mungesës së buxhetit.

Ministria e Financave ka thënë se për vitin 2015 sektori publik do të paguajë vetëm përvojën e punës, që do të ndikojë në rritjen e pagës për 0.5 për qind për çdo vit eksperiencë. Pikat e tjera të Marrëveshjes Kolektive qeveria kosovare pritet t’i zbatojë vitet e ardhshme.

Ndërsa sektori privat është kundër zbatimit të saj dhe nëse Ministria e Punës do të ndëshkojë kompanitë që nuk e zbatojnë atë, ato kanë paralajmëruar padi ndaj shtetit.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka thënë për Top Channel se kanë kërkuar sqarime nga qeveria, meqë sipas tij ligji i punës e lë në dorë të kompanive të vendosin nëse do të marrin përsipër zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes Kolektive.

“Meqenëse ligji themelor i punës, në të cilin thirret Marrëveshja e përgjithshme kolektive, e lë në diskrecion vullnetar të kompanive që ato të zgjedhin nëse dëshirojnë të implementojnë dispozitat e saj ose jo. Është neni 90, paragrafi 5 i cili thotë këtë”, ka deklaruar Zeka.

Ndërkohë, Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, fajëson sektorin publik dhe atë privat për shmangie nga përgjegjësia për të zbatuar Marrëveshjen Kolektive.

“Së pari, kontrata jo që do të duhej por do të duhet. Meqenëse është një dokument i nënshkruar, një dokument i negociuar ndërmjet palëve nënshkruese dhe të gjitha palët, në këtë rast e kam fjalën për qeverinë dhe krerët e Odës Ekonomike si përfaqësues të punëtorëve janë pajtuar qe zbatimi i kontratës kolektive të fillojë nga janari i vitit 2015”, ka deklaruar Rexhepi.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që është përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes, është duke kërkuar sqarime nga Departamenti Ligjor i saj për të dalë pastaj me qëndrimet finale.

Ministri Arban Abrashi ka thënë për Top Cahnnel përmes telefonit se javën e ardhshme do të sqarojnë gjithë aktorët e përfshirë në këtë marrëveshje dhe punonjësit rreth zbatimit të saj.

Top Channel