Identifikohet kosovari i gjetur i vdekur në Hungari

07/01/2015 00:00

Shtetasi kosovar që u gjet i pajetë në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë është identifikuar si Ali Fetahu, nga një fshat i Ferizajt dhe lindur në vitin 1960.

Familjarët e tij kanë konfirmuar për Top Channel ngjarjen tragjike. Një prej djemte tha përmes telefonit se, babai i tij ishte person me nevoja të veçanta, me probleme në të ecur dhe në të folur.

Ai tha se vendimi i të atit për t’u nisur në drejtim të Evropës ishte marrë pa pëlqimin e familjes. Viktima la pas 4 djem dhe 2 vajza.

Mediat hungareze raportuan se më 1 janar, në ora 14:20 ishte gjetur një trup i pajetë në lokalitetin Morahalom, në kufi me Serbinë. Ambasada e Kosovës në Budapest është informuar nga autoritetet lokale se trupi i pajetë i përket një shtetasi të Kosovës.

“Autoritetet hungareze kanë bërë identifikimin e trupit të pajetë dhe janë në kontakte të vazhdueshme më Ambasadën e Kosovës në Budapest për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ambasada e Kosovës në Hungari ka filluar proçedurat për kthimin sa më shpejt të trupit të pajetë të shtetasit kosovar në atdhe”, thuhet në komunikatën e ambasadës.

Menjëherë pas lajmit kanë reaguar subjektet politike në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi që të udhëtojnë menjëherë për në Hungari, të vizitojnë kampet me refugjatë nga Kosova dhe të interesohen për mirëqënien e tyre pranë institucioneve të shtetit hungarez dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vdekjen e kosovarit e ka vlerësuar si më të rëndë se tragjedia “Tisa”, duke fajësuar politikat qeveritare.

Edhe Muharrem Svarqa, kryetari i komunës së Ferizajt, nga ishte dhe viktima, është shprehur se, qeveria e Kosovës dhe pushteti lokal i Ferizajt, objektivisht, mbajnë një pjesë të mirë të përgjegjësisë për këtë dukuri, e cila, një prej shkaqeve kryesore ka shkallën e varfërisë së qytetarëve.

Top Channel