Kuçovë, asfiksohen nga gazi, tre të vdekur, një në gjendje të rëndë

02/01/2015 00:00

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në lagjen Polovinë të Kuçovës ku si pasojë e rrjedhjes së gazit kanë gjetur vdekjen tre persona dhe një tjetër është në gjendje të rëndë për jeten. 

Ngjarja ka ndodhur në familjen e Petrit  Dyrmos, ku siç mësohet të gjithë personat ishin familjarë të tij. Viktimat janë motrat Fatmira Selenica 63 vjeçe dhe Ruzhdie Toska 60 vjeçe si dhe vjehrra e njërës prej tyre, Refie Yzaj 80 vjeçe.

Ndërkaq në gjendje të rëndë për jetën është 80-vjeçarja Mine Dyrmo, nëna e dy viktimave. Mësohet se dy motrat kishin shkuar për të takuar nënën e tyre për Vitin e Ri, por fatkeqësisht kanë gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë nga gazi.

Sipas policisë mësohet se ngjarja ka ndodhur për një pakujdesi nga ana e familjarëve, por gjithsesi po hetohet për të zbardhur plotësisht shkaqet e ngjarjes.

Sipas banorëve mësohet se e gjithë kjo zonë përdor gazin natyror për ngrohje, tubacionet e të cilëve edhe mund të kenë ndonjë difekt pasi kanë vite që nuk kontrollohen apo rikonstruktohen.

Top Channel