Veteranët e UCK-së në vështirësi, kërkojnë të emigrojnë nga varfëria

01/01/2015 00:00

Pakkush do të mendonte se një pjesëtar i UCK-së, 15 vjet pas luftës, do të braktiste gjithçka për t’u shndërruar në një azilkërkues të pashpresë. Jeta e vështirë, varfëria dhe pamundësia për të gjetur një punë, detyruan Maisor Ruhanin të ndjekë rrugën e azilit.

Në shtëpinë e tij në fshatin Prapashticë, tashmë jeton i vetëm i ati i tij, për të cilin duket se jeta ka rezervuar pleqëri të vetmuar dhe aspak të lehtë. Sytë i mbushen me lot kur kujton jetën e të birit në luftë dhe vështirësitë që familja përjetoi në vitet e lirisë. 66-vjeçari thotë se i biri shkoi në Perëndim për të punuar, në mënyrë që të paguante borxhet e grumbulluara ndër vite.

“Nuk kemi me çfarë të jetojmë, nuk kemi të blejmë asgjë. Jeta është shumë e vështirë pasi këtu nuk kemi as edhe një mjek, por unë jam mësuar tashmë”, thotë Gani Ruhani.

Falë internetit, komunikimi me ish-pjesëtarin e UCK-së që mori rrugën e mërgimit nuk është i vështirë. Ai ishte pjesëmarrës i protestave të veteranëve të UCK-së në Prishtinë dhe pranon që në një bisedë nga Franca përmes Skype, të ndajë historinë e tij, sa e dhimbshme, aq edhe e rrezikshme për një ish-pjesëtar të UCK-së.

“Papunësia dhe mungesa e perspektivës më detyroi të largohesha. Unë nuk do të largohesha kurrë nga vendi im pasi për atë vend kam luftuar, por pasi pashë rrethanat dhe kushtet, u detyrova të ikja për një jetë më të mirë”, thotë ish-pjesëtari i UCK-së.

Maisor Ruhani tregon se shpresa e fundit për t’u punësuar në vendin e punës së babait të tij pasi ai të dilte në pension, u fundos, pasi pavarësisht përpjekjeve, përgjigja që merrte ishte negative.

“Kam konkurruar për punë në Ujësjellës, aty ku punonte babai im, por nuk më kanë pranuar. Duhet të kesh lidhje me qeveritarë për të fituar një vend punë”, thotë ai.

Maisori, bashkë me dy shokë, u larguan nga Kosova para dy muajsh me autobusin e linjës Prishtinë-Beograd dhe shkuan në qytetin serb të Suboticës. Aty kaluan kufirin Serbi-Hungari në këmbë, për t’u takuar më vonë me sekserët, një turk dhe një hungarez, të cilët ndihmuan në transportimin e tyre deri në Austri: “Kemi paguar 1500 euro për person.”

Franca bëhet destinacioni i radhës dhe një shpresë më shumë për Maisorin dhe shokët e tij, pasi për 2 javë ata morën 2 përgjigje negative të azilit në Austri.

Se shteti nuk është kujdesur sa duhet për të siguruar mirëqenie për veteranët e luftës së UCK-së, e thekson edhe përfaqësuesi i tyre. Xhevdet Qeriqi thotë: “Maisorin e njoh nga protestat dhe gjithmonë është ankuar për situatën ekonomike dhe papunësinë. Prandaj ai me shumë shokë të tjerë janë larguar.”

Viti 2015 do t’i gjejë sërish veteranët e UCK-së nëpër protesta ose duke reaguar në forma të ndryshme në kërkim të të drejtave të tyre që u takojnë me ligj. I mbetet qeverisë së Kosovës që të kujdeset për ta, por edhe për shumë të rinj kosovarë që nuk gjejnë dot një vend pune dhe marrin rrugën e emigrimit ilegal.

Top Channel