Prishtinë, festime të organizuara për ndërrimin e viteve

31/12/2014 00:00

Për herë të parë në Prishtinë, ndërrimi i viteve do të festohet në mënyrë të organizuar, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Me organizim të Komunës së Prishtinës, për të gjithë qytetarët që kanë vendosur të festojnë jasht shtëpive të tyre, komuna ka përgatitur aktivitete të shumta me fillim nga ora 14:00, përfshirë edhe një koncert me artistë të rrymave të ndryshme muzikore.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti do të zbres në shesh për të festuar me qytetarët.

 “Këtu ka filluar vendosja e kafeterive, 40 kafeteri ndoshta më të njohura të Prishtinës, të cilat do të na bashkangjiten i kanë sjellë kafeteritë e veta që sonte të festojmë bashk. Mbrapa meje është skena më e madhe që është vendosur ndonjëherë në Kosovë, është për herë të parë që vendoset një skenë e tillë. Do të ketë muzikë gjatë gjithë kohës. Do të festojmë bashk, orëm 12 do ta presim së bashku dhe shpresojmë që të kthehet në traditë”, tha Ahmeti.

Ky organizim është mirëpritur nga qytetarët e kryeqytetit. Komuna është kujdesur edhe për më të vegjëlit, për të cilët gjatë gjithë ditës do të ketë aktivitete të ndryshme.

Në momentin e ndërrimit të viteve do të bëhet edhe lëshimi i fishekzjarrëve në mënyrë të kontrolluar, ndërsa do të ketë edhe befasi të tjera që janë të rezervuara ekskluzivisht për qytetarët që do të festojnë në shesh. Festa në qendër të Prishtinës pritet të vazhdojë deri në orët e mëngjesit.

Top Channel